Ditën e sotme, ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, të caktuar nga Gjykata.
I shoqëruar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, Berisha realizoi paraqitjen periodike në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedurave hetimore që janë ende në zhvillim.
Ashtu si në herët e tjera, Berisha u prit jashtë ambienteve të SPAK-ut nga mbështetësit e tij, me të cilët u përshëndet.
Ai akuzohet se gjatë kohës që mbante postin e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat ka përfituar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në ndërtimin e pallateve në truallin e ish-kompleksit sportiv Partizani.
Edhe vetë Malltezi përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 5.4 milionë euro përmes një projekti ndërtimi, përfitime që lidhen me vendime të marra nga qeveria e drejtuar në atë kohë nga vjehrri i tij.