Futbolli në Europë do të ndjejë pasojat e Superligës dhe një nga vendet që do e vuajë më shumë këtë situatë do të jetë Spanja. Kjo, jo vetëm për faktin se Real Madrid dhe Barcelona ishin mes organizatorëve të turneut që desh të shkëputej nga UEFA, por edhe për pasojat që ka fakti se ata ende nuk janë tërhequr prej tij teorikisht.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, duket se ka vlerësuar iniciativat e futbollit anglez, lëvizjen e shpejtë të drejtuesve të Premier Ligës për të frenuar shkëputjen si dhe kthimin e menjëhershëm të 6 ekipeve angleze.
Ai ka pranuar në intervistën e dhënë për mediat britanike se kontaktet e tij me qeverinë angleze dhe kryeministrin Boris Xhonson kishin qenë të vazhdueshme gjatë këtyre ditëve dhe se e kishte falënderuar pasi “kishte mbrojtur futbollin”. Mediat spanjolle e kanë interpretuar këtë deklaratë si një sinjal të qartë se Anglia do të jetë favorite për të pritur Botërorin e vitit 2030.
Spanja dhe Portugalia kanë hedhur një kandidaturë të përbashkët për turneun, por është e qartë se kandidatura e Anglisë ka marrë prioritet para syve të UEFA-s, duke ditur se stadiumet e Barcelonës dhe Realit janë në qendër të projektit iberik. Udhëzimi i UEFA-s është që votimi të bëhet në bllok, pra të gjithë të votojnë vetëm një prej kandidatëve për të pasur garanci më të madhe fitoreje e duket se kjo votë do të shkojë drejt Anglisë.