Në Shkodër 230 raste zjarresh, kreu i zjarrfikësve: Shumica nga pakujdesia njerëzore

Gjatë kësaj vere, në territorin e Bashkisë Shkodër janë regjistruar mbi 230 raste zjarresh.

Fatmirësisht, ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës ka bërë të mundur neutralizimin e tyre në kohë, duke shmangur pasoja më të rënda.

“Nga qershori deri tani, kemi diku tek 242 raste zjarri. Për gushtin kemi 45 raste zjarri. Kemi pasur 2-3 raste të vështira. Një në Mali Hebe, që tentoi të kalonte në anën e Berdicës, por u ndërhy me 8 mjete. Kemi pasur edhe në Velipojë, ku era ishte shumë e fuqishme“, shpjegon Agim Ponari, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës Shkodër.

Shumica e zjarreve janë nga pakujdesia, pasi nga përvoja e kuptojmë se zjarre të qëllimshme quajmë ato ku nuk ka banesa, nuk ka lëvizje të njerëzve dhe aktivitet; dikush shkon aty për atë qëllim. Ndërsa tek ne, shumica e zjarreve janë në zona të banuara, anës rrugës, në ngastra tokash, ku dikush hedh një cigare, pastron mbetjet dhe zjarri kalon përmasat dhe nuk arrin të shuhet pa ndërhyrjen tonë“, thotë Ponari.

Aktualisht, sipas të dhënave të Shtabit të Emergjencave të Qarkut, e vetmja vatër aktive ndodhet në Fushë-Arrëz. Për shuarjen e saj po ndërhyhet edhe me helikopter.


Shtuar 14.08.2025 13:35