Ish-ambasadori i BE-së, Luigi Soreca është rikthyer në Shqipëri, por këtë herë për disa muaj, deri në mbërritjen e ambasadorit të ri që do drejtojë delegacionin e BE-së.
Në një postim në rrjetet sociale të Ambasadës së BE, njoftohet dhe prezantimi i tij. Në mesazhin para delegacionit, Soreca shprehet se Bashkimi Evropian qëndron me vendosmëri pranë Shqipërisë në konsolidimin e progresit të arritur, thellimin e transformimit të vendit dhe nxitjen e reformave të rëndësishme që do ta sjellin Shqipërinë në BE.
Të lidhura
None found
“Është një nder dhe një privilegj të jem përsëri në Tiranë në këtë moment veçanërisht të rëndësishëm për zgjerimin e BE-së dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe në të njëjtën kohë me Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit në Tiranë. Bashkimi Evropian qëndron me vendosmëri pranë Shqipërisë në konsolidimin e progresit të arritur, thellimin e transformimit të vendit dhe nxitjen e reformave të rëndësishme që do ta sjellin Shqipërinë në BE,” tha Ambasadori Soreca.
Kujtojmë se ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann u largua nga vendi ynë në përfundim të vitit të parë të punës si përfaqësuese e Brukselit në Tiranë.
Ajo nisi punë në gusht të vitit 2022 dhe u largua në korrik 2023.
“Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann do të rikthehet në Shërbimin e Jashtëm Gjerman nga 1 shtatori 2023 për detyrën e saj të ardhshme të lartë”, njoftoi zyra e shtypit të delegacionit të BE-së.
Para se të niste detyrën në Shqipëri, në gusht 2022, Christiane Hohmann ishte Ambasadore e Gjermanisë në Estoni. Më parë, ajo ka shërbyer si ambasadore e Berlinit në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 2016-2019.
