Gjykata e Apelit ka lënë në burg Fatjon Muratin, i cili u arrestua pasi u kap në makinë me Endrit Doklen. Ky i fundit dhe Gentian Reçi u lanë më pas të lirë.
Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur masëne sigurisë “arrest në burg” për Muratin, i cili dyshohej edhe për masakrën e Fushë-Krujës me tre të vrarë. Ai ka qenë një nga personat që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje.
Dy javë më parë prokuroria kërkoi sekuestrimin e pasurisë së tij, që arrinte vlerën 5 milionë euro me prona si: ndërtesë në rrugën “Lord Bajron”; një dyqan në rrugën “Shaban Matraku”; një apartament, një objekt 8-katësh me sipëfaqe 800 metër katrorë, dy subjekte tregtare lokale, një subjekt tregtar lavazh makinash, një subjekt tregtar dyqan, në Tiranë.
Njoftimi i Gjykatës:
Referuar interesimit të mediave, Gjykata e Apelit Tiranë, informon sa më poshtë:
Më datë 12.07.2022, punonjësit e policisë së sektorit të forcës së posaçme Shqiponja, kanë ndaluar automjetin e markës “Audi”, i cili drejtohej nga shtetasi me iniciale K.Gj. Pas kontrollit të ushtruar në makinë dhe banesë, janë sekuestruar sende në cilësinë e provave materiale (ndër të tjera çantë dore brënda së cilës është gjetur një pistolet), të cilat i janë nënshtruar ekspertimit, ku nga gjurmët papilare, kanë rezultuar edhe shenjat e gishtave të personit nën hetim, shtetasit me iniciale F.M.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale F.M. i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 278-25 të K.Penal.
Me vendimin nr. 1575/1 Akti, datë 11.10.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi:
Vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim M., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 278-25 të K.Penal.
Caktimin si mase sigurimi “arrestit ne burg”, te parashikuar nga Neni 238 i K. Pr. Penale, për personit nen hetim M i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 278-25 të K.Penal.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale F.M, i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit, duke vendosur vlerësimin e paligjshëm të ndalimit dhe lirimin e menjëhershëm nga dhomat e paraburgimit duke mos caktuar masë sigurimi personal.
Në përfundim të gjykimit Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga Gjyqtare znj.Valdete Hoxha, me vendimin nr, 951 datë 31.10.2022 vendosi:
– Miratimin e vendimit nr.1575/1 akti, date 11.10.2022 te Gjykates se Rrethit Gjyqesor Tirane. /abcnews.al