Specialistët e Seksionit Operacional në DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe trafiqeve, në bashkëpunim me Interpol Tirana, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Antwerp”. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit: M. B., 27 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Antwerp, Belgjikë, e ka dënuar me 5 vjet burg, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafik i paligjshëm i substancave narkotike dhe psikotrope”, të parashikuara nga Kodi Penal belg.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 08.01.2022, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, në njohje të vendimit të Gjykatës së Apelit Antwerp, Belgjikë, vendim i cili do të ekzekutohet në Shqipëri.