Edicioni i vitit 2025 për “Giro D’Italia”, një nga turnetë më të famshëm çiklistikë në botë, do të jetë shumë special. Kjo për faktin se pritet që etapat e para të zhvillohen pikërisht në Shqipëri.
Për këtë insistojnë mediat italiane, të cilat kanë bërë të ditur se drejtuesit e garës kanë marrë ofertë të parefuzueshme edhe ekonomikisht nga vendi ynë. Në Itali bëjnë të ditur se rajoni i Friuli kërkonte të siguronte nisjen e edicionit të ardhshëm më datën 10 maj, por po kalohet në fotofinish nga oferta e qeverisë shqiptare, edhe pse nuk është zyrtarizuar ende.
“Nën hije deri disa javë më parë, kandidatura shqiptare është përforcuar siç e kishim parashikuar, edhe për shkak të premtimit që është bërë nga kryeministrja Meloni pikërisht ndaj Shqipërisë. Xhiroja e Italisë, një nga kartat më të mira për të luajtur nga vendi ynë në botë, arsye pse u vlerësua në pranverën e këtij vitit si ambasador i italianizimit, do të nisë shpejt nga vendi ballkanik. Gjithçka për të forcuar lidhjen mes dy kombeve”, shkruhet fillimisht në artikull duke theksuar se shkak bëhet edhe lidhja e ngushte politike si pasojë e marrëveshjes për emigrantët.
“Premtimi i kryeministres është ndjekur nga një ofertë ekonomike mjaft e rëndësishme nga Shqipëria për “Rcs”, shoqërinë që organizon Xhiron e Italisë. Flitet për thuajse trefishin e shifrës prej 6 milionë eurosh të ofruara nga rajoni i Friulit për të organizuara nisjen e garës më 10 maj nga Trieste dhe dy etapa të tjera”, shpjegohet në këtë artikull ku bëhet fakt i kryer nisja e kësaj gare çiklistike në Shqipëri në vitin e ardhshëm.