Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, do të zhvillojë më 27 prill, në orën 11:00, seancën e parë gjyqësore në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-deputetes Monika Kryemadhi, si dhe tre të pandehurve të tjerë.
Të akuzuarit po hetohen nga SPAK për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Të lidhura
None found
Kujtojmë që Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, vendosi më 18 mars kalimin për gjykimin në themel të çështjes penale.
Po ashtu, të pandehur në këte çështje janë edhe nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, një finacuese e LSI-së.
SPAK e akuzon Metën për ndikime korruptive për episode që lidhen me çështjen CEZ-DIA.
Meta akuzohet për korrupsion pasiv në tre raste, dy prej të cilave në bashkëpunim. Ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, është marrë e pandehur për korrupsion pasiv në dy raste të kryera në bashkëpunim.
Ndaj ish-bashkëshortëve rëndojnë dhe akuzat për kryere të veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Nëna e Kryemadhit dhe e pandehura Ema Çoku, akuzohen për pastrim parash, ndërsa Xhixho për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim.
Prej tetorit të vitit 2024, ish-presidenti Ilir Meta, i cili aktualisht mban dhe pozicionin e kryetarit të Partisë së Lirisë, gjendet në burg, pasi gjykata pranoi kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj tij.
Kërkesat e njëpasnjeshme për caktimin e një mase më të butë, janë rrëzuar nga gjykatat.
