Në burg për shpërdorim detyre, ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit përfundon në spital

Fran Tuci ish-kryebashkiak i Fushë Arrëzit është transferuar në spitalin e burgut për shkak se ka shfaqur probleme shëndetësore.

Ai ndodhej në paraburgimin e Recit në Shkodër.

Ish-kryebashkiaku socialist i Fushë Arrëzit, Fran Tuci u arrestua mbrëmjen e 12 korrikut 2023 me urdhër të SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës për shkak të abuzimeve të dyshuara me tenderin e një rruge.

Në pranga për shpërdorim detyre ra edhe administratori i njësisë Iballë në Pukë, Ndoc Marku, ndërsa në kërkim u shpall biznesmeni Durim Markgjekaj, i akuzuar për shkatërrim prone.

Objekt i hetimit të nisur në Pukë që i kaloi më pas SPAK-ut, sipas prokurorisë ka qenë procedura për hapjen e një segmenti të ri rrugor në territorin administrativ të Bashkisë Fushë-Arrëz.

“Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se në territorin nën juridiksionin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz, në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin e këtij fondi pyjor”, thuhet në dosje.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

“Ish titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, Fran Tuci, në bashkëpunim më ish-Administratorin e Njësisë Iballë, Ndoc Marku me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar nga autoritetet kompetente”, thuhet në dosje.

SPAK thekson se punimet janë kryer nga Durim Markgjekaj, ndaj të cilit është vendosur masa detyrim paraqitje pasi duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa patur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

Arrestimi i Fran Tucit u bë me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit.

Masat e sigurisë për të dhe administratorin e njësisë Iballë u ekzekutuan më 12 dhe 13 korrik, ndërsa hetimet vijojnë në kuadër të procedimit penal nr. 67  të vitit 2023.


Shtuar 14.08.2023 09:02