Në burg për pastrim parash dhe fshehje pasurie, zgjatet 3 muaj afati i hetimit për Alda Klosin

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e afateve të hetimeve dhe paraburgimit me 3 muaj për ish-zyrtaren Alda Klosi.

Ish-zyrtarja e Ministrisë së Financave akuzohet për pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Avokati i saj Arbër Hoxha thotë në një deklaratë për mediat se ajo po mbahet padrejtësisht në burg pasi sipas tij akuza nuk ka asnjë provë, përveç dëshmisë së sanitares Rozeta Dobi. Edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga arrestimi, Prokuroria nuk na në dorë akoma akt-ekspertimin kontabël mbi të ardhurat e saj.

Avokati Hoxha: Është bërë kërkesë-vendimmarrja për të kryer një akt ekspertimi kombëtar. Kanë kaluar më shumë se 4 muaj dhe akti i ekspertimit nuk është bërë ende gati. Duhet të ketë një dyshim të arsyeshëm në prova për të qëndruar në masën e sigurimit “arrest me burg”.  Vullneti i Alda Klosit është që duhet rrëzuar vullneti i prokurorisë. Ndaj saj duhet të kishte disa prova dhe një dyshim të arsyeshëm. Nuk ka një hetim konkret për gjetjen e parave në shtëpinë e Rozeta Dobit. Alda Klosi është e divorcuar dhe djali i saj ka lënë edhe marrëdhënien me shkollën sepse ka kriza të ankthit dhe depresionit. Ne jemi në kushtet që masa e sigurimit qëndron arrest me burg dhe gjykata ka zgjatur dhe 3 muaj afatin e burgimit. 138 mijë Eurot që kanë qenë në pronësi të Alda Klosit janë të sajat dhe për këtë është bërë kallëzimi. Pjesa tjetër e origjinës i takojnë Prokurorisë. E çuditshme që në dosjen hetimore ka 3 procesverbale të 3 shtetasve të ndryshëm ku Rozeta Dobi ka punuar dhe është e çuditshme që paska vjedhur sendet me vlerë dhe nuk paska vjedhur paratë. Kanë frikë të dalin pronarët e ligjshëm të pronave të lekëve. Hera e parë në Republikën e Shqipërisë që më shumë i besohet një sanitareje e cila është kapur me presh në duar duke vjedhur dhe nuk besohet një drejtoreshe e Ministrisë së Financave. Prokuroria në habi të të gjithëve merr për bazë atë që thotë hajduti dhe jo atë që thotë drejtoresha.

Lidhur me hetimet që SPAK po kryen për inceneratorët dhe përmendjen disa herë të emrit të Alda Klosit në dosjen “Arben Ahmetaj”, sipas avokatit, deri tani nuk ka asnjë procedim penal mbi këtë çështje mbi Klosin dhe kjo e fundit nuk është marrë asnjëherë në pyetje për këtë çështje.

Avokati Hoxha: Ndaj Alda Klosit nuk ka asnjë procedim dhe as që ka dijeni për veprën penale, gjithë këto të tjerat duhet parë nëse ka diçka të vërtetë apo jo. Nuk ka procedim për inceneratorët dhe as për shumën e parave.

Klosi u arrestua për shkak të shumës së madhe të parave që u gjetën në banesën e pastrueses Rozeta Dobi, të cilat ishin fshehur në tubin e aspirimit.

Bëhet fjalë për rreth 500 mijë euro që dyshohet se janë të Klosit./albeu.com


Shtuar 3.08.2023 13:12