Në 6 nëntor Berisha duhet të paraqitet në SPAK, po nëse ai vendos të mos shkojë? Çfarë parashikon ligji

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi pak ditë më parë masën detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv për privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani.

Ish-kryeminsitri Sali Berisha do të duhet të paraqitet ditën e hënë në 6 nnëntor ara prokurorëve të SPAK për tu marrë në pyetje.

A do të shkojë Berisha para prokurorëve të SPAK? Kjo është pyetja që qarkullon vazhdimisht në opinionin publik që prej momentit që GJKKO dha masën për ish-kreun e qeverisë.

Kësaj pyetjeje, vetë ish-kryeministri Berisha i është përgjigjur se ai nuk do të paraqitet në asnjë moment në SPAK, pasi sipas tij GJKKO ka shkelur Kushtetutën, pasi ka dhënë masë ndaj tij pa marrë autorizim nga Kuvendi më parë.

Por çfarë parashikohet nga ligji nëse Ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të paraqitet këtë të hënë përpara policisë gjyqësore?

Sipas nenit 231 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet kur ka shkelje të masave të sigurimit, gjykata mund të vendosë një masë tjetër me të rëndë. “1. Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale.

Konkretisht masat qe konsiderohen më të ashpra dhe që mund të jepen ndaj Sali Berishës janë arrest në shtëpi ose shoqërim me forcë, ndërkohë që arresti me burg ndaj ish-kryeministrit nuk është i mundur për shkak të moshës së tij.

Por a do t’i ashpërsojë GJKKO qëndrimet ndaj Sali Berishës, nëse ky i fundit refuzon paraqitjen vullnetarisht përpara organeve të drejtësisë?

Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim, në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’ dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi është pas hekurave, pasi gjykata mori masën e ‘arrestit me burg’ ndaj tij, po për këtë çështje.


Shtuar 5.11.2023 23:00