Në 2024 popullsia e re në moshë pësoi tkurrje, Shqipëria me 29 mijë të rinj më pak

Vetëm për një vit nga 2023 në 2024, popullsia e re në moshën 0-29-vjeç u tkurr me 29 mijë e 300 banorë ose 4 për qind, gati trefishi i popullsisë së përgjithshme.

Të dhënat tregojnë se numri i të rinjve, është tkurrur në një vit në masën e Bashkisë Kavajë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT, tregojnë një prirje të fortë tkurrjeje në çdo grup-moshë prej 0 deri 29-vjeç.

Numri i foshnjave (0-4-vjeç) nga 2023 në 2024 ra me 2,5 %, duke pasqyruar normat e ulëta të fertilitetit, prej vitesh nën 1,5 fëmijë për grua.

Në grupin 20-29-vjeç numri i popullsisë u tkurr me rreth 12 800 persona (gati gjysma e rënies totale).

Kjo është mosha më e prirur të emigrojë për studime, punë sezonale apo kontrata të përhershme në BE.

Sipas “Youth Study 2024”, 1 në 3 të rinj, shpreh dëshirë të largohet kryesisht për paga e standard jetese më të lartë; 1 në 5 synon të mos kthehet.

Tregu europian i punës, programet e mobilitetit (“Erasmus+”, vizat pune sezonale në BE, marrëveshjet MB-Shqipëri) veprojnë si faktorë që po nxisin më tej largimin e të rinjve.

Sakaq, kalimi nga një grup moshë në tjetrën në tjetrën e bën rënien dukshëm më të thellë te 25-29-vjeçarët.

Maturantët e 2018-ës sot ja të punësuar kudo në tregun europian, pasi shumë prej tyre zgjedhin të largohen duke krijuar një boshllëk të madhe në tregun vendas të punës.

Brezi i lindur më 1995-2000 (relativisht i madh) po dalin nga segmenti 20-24-vjeç, ndërsa hyrjet e reja 0-4-vjeç janë shumë më pak.

Tkurrja e fortë e të rinjve po vë në vështirësi shkollat, pasi për shkak të regjistrimeve më të pakta mbyllen shkollat në zonat rurale, teksa tregu i punës po përballet me mungesë punonjësish në të gjithë sektorët që nga IT, turizëm, shërbime.

Kjo mungesë po shkakton presion për rritjen e pagave dhe furnizimin me punonjës të huaj.

Financat publike pritet të përballen me shpenzime më të larta për skemat e pensioneve, në një kohë që numri i kontribuuesve do të vijë në rënie.

Tkurrja e grup-moshave 0-29-vjeç nuk është thjesht një statistikë, por paralajmëron transformime të thella në tregun e arsimit, në ekonomi dhe në strukturën shoqërore shqiptare.

Tregu i punës në Shqipëri ofron ende paga më të ulëta se vendet fqinje, ndërkohë që mungesa e stafeve të kualifikuara (mësues, infermierë, inxhinierë) krijon spirale “brain-drain”.

Demografët lajmërojnë se nëse institucionet nuk veprojnë sot, duke venë popullsinë dhe rritjen e saj si prioritet, fenomenet lindshmëri-emigracion do të imponojë ndryshime shumë më të kushtueshme.

Sakaq, Shqipëria rrezikon të përballet me një hendek të përhershëm, ku mungesa e kapitalit njerëzor do të kufizojë rritjen ekonomike dhe aftësinë për t’u integruar me sukses në tregun unik evropian./ Monitor


Shtuar 17.06.2025 07:58