Në 2 dekada Turqia grumbulloi 40 miliardë dollarë fonde për pasojat e tërmeteve:Ku kanë përfunduar ato?

Nga Sinan Ciddi “National Interest

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Turqia sapo ka përjetuar fatkeqësinë natyrore më shkatërruese në historinë e saj moderne. Dhjetë provinca në juglindje të vendit u rrafshuan brenda pak orësh nga disa tërmete të fuqishme, që kanë shkaktuar dhjetëra mijëra të vdekur. Temperaturat në zonë janë shumë të ulëta dhe të mbijetuarit rrezikojnë të ngrijnë për vdekje përpara se ekipet e shpëtimit t’i nxjerrin nga rrënojat.

Fatkeqësia është ende duke u shpalosur në përmasat e saj. Tani për tani ekziston problemi akut i të pastrehëve. Edhe në rastet kur shtëpitë nuk janë shkatërruar, shumë prej tyre do

të jenë të pabanueshme për shkak të dëmtimeve të rënda strukturore. Niveli absolut i shkatërrimit urban është aq i madh sa që përveç humbjes së shtëpive të tyre, banorët e rajonit ka të ngjarë të kenë humbur edhe punën e tyre.

Ndërsa fatkeqësitë natyrore siç janë tërmetet janë të paparashikueshme, qeveria turke duhet dhe mund të ishte përgatitur më mirë për të shmangur këtë skenarin kaq të keq. Në ditët në vijim qytetarët dhe politikanët e opozitës do të kërkojnë përgjigje për 3 pyetje të sikletshme.

E para lidhet me disponueshmërinë e fondeve të emergjencës dhe që janë të destinuara posaçërisht për lehtësimin e pasojave të tërmeteve. Pas një tërmeti vdekjeprurës në vitin 1999, shteti vendosi një taksë të përhershme për të gjithë pronarët e shtëpive për të grumbulluar në një fond, në mënyrë që vendi të ishte i përgatitur financiarisht për tërmetin tjetër me pasoja shkatërruese.

Vlerësimet sugjerojnë se shteti ka mbledhur që nga ajo kohë afër 40 miliardë dollarë. Ku janë këto fonde? Në vitin 2020, gazetarët i bënë presidentit Recep Tayyip Erdogan pikërisht këtë pyetje. Ai u përgjigj përmes një mos-përgjigjeje, duke thënë: “Ne i shpenzuam fondet për atë që ishte e nevojshme. Unë realisht nuk kam kohë të shpjegoj se për çfarë janë shpenzuar paratë”. Që nga viti 2012, zbulimi publik i shpenzimeve qeveritare është censuruar, duke e bërë praktikisht të pamundur përcaktimin se si janë shpenzuar këto fonde.

Pyetja e dytë lidhet me rregulloret e ndërtimit. Pas tërmetit të vitit 1999, shteti turk vendosi rregulla më të rrepta për ndërtimin, të hartuara enkas për të garantuar që godinat të jenë sa më rezistente ndaj tërmeteve. Shkatërrimi i lagjeve të tëra në qytete si Hatay, Antakya dhe Iskenderun tregon haptazi se ndërtesat nuk janë ndërtuar sipas kodit të ri të ndërtimit.

Kush është përgjegjës? Qeveria do të joshet të kritikojë kompanitë kontraktore dhe ndërtuesit, por jo zyrtarët partiakë që drejtojnë bashkitë dhe që lëshojnë lejet e ndërtimit. Pra, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdogan, do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të shmangur sikletin dhe fajin nga vetja. Do të jetë interesante të shihet se si do ta bëjnë këtë në kushtet kur edhe infrastruktura publike ka pësuar dëme të rënda. Shumë godina komunale dhe spitale janë shembur gjithashtu.

Pyetja e tretë dhe e fundit ka të bëjë me përgjigjen emergjente të qeverisë apo mungesën e saj. Pa dyshim, magnituda e tërmeteve ishte aq e madhe saqë çdo qeveri e përgatitur do ta kishte shumë të vështirë të reagonte në mënyrën më të mirë të mundshme. Megjithatë, qytetarët në zonat e prekura po ankohen për mungesën totale të shërbimeve të urgjencës, duke i nxitur jo pak njerëz të pyesin “Ku është shteti?”. Në 48 orët e para, qeveria hezitoi të angazhonte ushtrinë, e cila ka burime të mëdha si në personel po ashtu edhe pajisje hidraulike të rënda.

Ky hezitim mund të ketë shkaktar humbjen e mijëra jetëve. Për më tepër, agjencia kryesore e reagimit ndaj emergjencave të vendit (AFAD) është nën një mbikëqyrje publike në rritje. Ajo po akuzohet se po reagon shumë ngadalë ndaj një fatkeqësie të madhe kombëtare.

Tani për tani, shqetësimi kryesor i Erdoganit duket të jetë situata politike. Dy ditë pas katastrofës, Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 2 muaj në zonat e prekura. Kjo periudhë është shumë delikate për të thënë më të paktën: gjendja e emergjencës do të përfundojë vetëm një javë përpara datës së planifikuar të zgjedhjeve parlamentare në Turqi.

Zakonisht një gjendje e jashtëzakonshme i jep mundësi qeverisë të kontrollojë median, veçanërisht mbi raportimet negative që mund të fajësojnë qeverinë për procesin e rindërtimit e mëvonshëm dhe menaxhimin e sfidave humanitare.

Erdogan ka të ngjarë të kuptojë se ky tërmet mund të jetë sfida e tij më e madhe politike që kur është ngjitur në pushtet 2 dekada më parë. Në një nga daljet e tij publike, në vend se të pranonte nivelin e traumës publike me të cilën po përballej vendi, Erdogan paralajmëroi se do të ndëshkonte të gjithë ata që “përhapnin gënjeshtra” mbi këtë fatkeqësi kombëtare.

Me kaq shumë shkatërrime dhe kaq shumë rreziqe politike, Erdogan mund të përpiqet që të pezullojë zgjedhjet e planifikuara të 14 majit. Shumë nga godinat publike ku votojnë zakonisht qytetarët janë dëmtuar. Edhe nëse ato janë të paprekura, qytetarët do të jenë kryesisht të shqetësuar për rindërtimin e mjeteve të tyre të jetesës.

Në këto kushte, qeveria mund të përpiqet ta shfrytëzojë situatën dhe të parandalojë zhvillimin e një palë zgjedhjeve që dukej se do të prodhonin një rezultat shumë të përafërt për palët garuese, duke përmendur pamundësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në procesin e votimit.

Por një strategji e tillë mund të prodhojë efektin e kundërt. Sepse tërmeti ka marrë një vëmendje të madhe ndërkombëtare. Nëse qeveria dështon të adresojë nevojat e njerëzve dhe më pas përpiqet të anulojë zgjedhjet, kjo mund të jetë e tepërt për popullatën turke. Dhe zhgënjimet e tyre do të jenë të dukshme për komunitetin ndërkombëtar që po punon jashtë orarit për të mbledhur fonde për turqit e prekur nga kjo katastrofë.

Ajo që mund të mos e kuptojnë plotësisht dashamirësit, është se Erdogan dhe AKP kanë qenë në pushtet prej 20 vitesh. Dhe ndërsa elita politike mund të mos jetë përgjegjëse për një fatkeqësi natyrore, pasgoditjet janë po aq politike sa edhe sizmike. /albeu.com

Shënim:Sinan Ciddi, anëtar në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD në SHBA, ku ai kontribuon në Programin e Turqisë dhe në Qendrën për Fuqinë Ushtarake dhe Politike (CMPP).


Shtuar 10.02.2023 14:16