Ndryshimet për ngritjen e Komisioneve Parlamentare, Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë opozitës: Procedurat e ndjekura nuk kanë qenë të rregullta

Gjykata Kushtetuese këtë të hënë, ka vendosur të shfuqizojë vendimet e Kuvendit të Shqipërisë për ngritjet e komisioneve parlamentare. Sipas Kushtetuese, vendimi i Kuvendit cenon demokracinë dhe se procedurat e ndjekura nuk kanë qenë të rregullta.

Ishte opozita ajo që dërgoi në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet që PS bëri me votim të njëanshëm në Parlament. PD-ja, pretendoi në atë kohë, se falë këtyre ndryshimeve, opozita përjashtohej tërësisht nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian.

Gjykata në vendimin e marrë sot, nuk thotë se ndryshimet janë antikushtetuese, por cilësoi si jo të rregullta proceduat e ndjekura nga mazhoranca socialiste. Po ashtu në njoftim, theksohet se Kuvendit i lihet kohë 30 ditë për të rregulluar këto procedura.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese e Republikë së Shqipërisë (Gjykata) në datën 10.02.2026 shqyrtoi në seancë publike çështjen me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Pezullimi i vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”

Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.

Gjithashtu Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizmit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.

Për arsyet e mësipërme, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata, njëzëri, vendosi:

Pranimin e kërkesës

Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Efektet shfuqizuese të këtij vendimi hyjnë në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”.


Shtuar 23.02.2026 16:17