Kryetari i VMRO-DPMNE-së në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski, i ka bërë thirrje kryeministrit Dimitar Kovaçevskit, Zv.kryeministrit të parë Artan Grubit dhe Ali Ahmetit, që amendamentet kushtetuese t’i vendosin në rend dite në Kuvend dhe nëse vërtetohet se nuk ka shumicë thotë ai, Kovaçevski duhet të japë dorëheqje. Mickoski përsëriti se nuk do të ketë ndryshime të Kushtetutës në këtë përbërje parlamentare dhe theksoi se grupi punues i udhëhequr nga Margarita Caca Nikolovska nuk ka mandat të punojë derisa Kuvendi i Maqedonisë të konstatojë nevojën për ndryshimin e Kushtetutës.
“Shfrytëzoj rastin dhe i bëj thirrje njeriut që është emëruar atje, Dimitar Kovaçevskit, dhe atij që realisht që drejton Qeverinë, Artan Grubi së bashku me Ali Ahmetin, që këto kërkesa t’i paraqesin në Kuvend, d.m.th të paraqesin nevojën për hapjen e Kushtetutës, që deputetët të shprehen. Kemi dëgjuar në shtator, pastaj në tetor, pastaj në shkurt, mars, dhe tani po kalon maji, që kanë dy të tretat në parlament. Atëherë le të marrin guximin Ali Ahmeti dhe Dimitar Kovaçevski dhe ta paraqesin atë kërkesë. Të votojmë, të shohim si do të votohet”, tha ai.
I pyetur se cila është baza e qëndrimeve se ndryshimet kushtetuese kanë të bëjnë me ridefinimin e Maqedonisë në shtet binacional Mickoski tha se qëndrimet e tilla bazohen në informatat që kanë ndarë anëtarët e siç thotë ai, të ashtuquajturit grup punues për ndryshime kushtetuese jashtë pjesës zyrtare të tij, ku duhet të ndryshohet preambula, me çka Maqedonia do të ridefinohet si shtet i dy popujve, dhe qytetarët e tjerë do të jenë bashkësitë etnike dhe pakicat.
“Pikërisht nga informacionet që vijnë nga i njëjti grup punues, nga njerëzit që thonë se jashtë pjesës zyrtare të punës së atij, të ashtuquajturit grupi punues, duhet ndryshuar preambula dhe Maqedonia praktikisht të ripërcaktohet si një shtet i dy popujve, bashkësive etnike dhe më pas pakicave. Ata i vlerësojnë të gjithë bashkëqytetarët tanë në tre shtylla dhe kjo ka ardhur si informacion direkt nga grupi i punës”, tha Mickoski.
Megjithatë, shtoi Mickoski, se tema për VMRO-DPMNE-në është mbyllur, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese në këtë përbërje dhe në këto kushte, duke përsëritur qëndrimin se VMRO-DPMNE përkrah ndryshimin e kushtetutës sipas modelit kroat.