Qeveria shpërndan shpërblime për fundvit, ja cilat kategori përfitojnë

Këshilli i Ministrave, ka miratuar Aktin Normativ të Fundvitit për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025. Nga ky akt normativ, do të shperndahet një bonus prej 15 mijë lekësh të reja për familje që përfitojnë ndihmë ekonomike, si edhe personat me aftësi ndryshe apo kujdestarët e tyre.

Në total nga kjo nismë do të përfitojnë rreth 148 500 qytetarë me një fond total prej rreth 2.2 miliardë lekësh.

“Disa nga çështjet kryesore që miratuam nëpërmjet këtij akti normativ janë: mbështetje financiare për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike si dhe për personat me aftësi të kufizuar, apo dhe kujdestarët e tyre.

Masa e mbështetjes financiare, në formën e bonusit të fundvitit do të jetë 15 mijë lekë, apo 150 euro. Në total nga kjo nismë do të përfitojnë rreth 148 mijë e 500 qytetarë”, tha Petrit Malaj.