Ndryshime në buxhet, ministri Mete: Do të rishpërndahen 46 mld lekë, për rindërtimin 12 mld lekë

Qeveria ka vendosur që nëpërmjet një akti normativ të ndryshojë buxhetin e vitit 2023.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, pas mbledhjes së qeverisë tha se nisur nga performanca e mirë e të ardhurave, parashikohet rritje e planit vjetor të të ardhurave me 7.5 mld lekë.

Sipas ministrit 12 mld lekë do të shpërndahen për rindërtimin.

Mete: Ky akt normativ, nisur edhe nga performanca e mirë e të ardhurave, parashikon rritje të planit vjetor të të ardhurave me 7.5 miliardë lekë. Nëpërmjet këtij akti normativ rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Kjo bëhet e mundur edhe falë një ecurie pozitive të sektorit energjetik, i cili nuk ka pasur nevojë për mbështetjen buxhetore të parashikuar në fillim të vitit. Nëpërmjet aktit normativ mbështetet procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi.

Gjithashtu, alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit.

Parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish.  Akti normativ mbështet gjithashtu projektet në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime. Ndërkohë, parametrat makro-fiskalë vazhdojnë të synojnë uljen e borxhit publik, duke mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Aktin Normativ për ndryshime të Buxhetit të vitit 2023./Albeu.com 


Shtuar 18.10.2023 12:09