Ndryshime ligji për arsimin e lartë, financim deri në 50% për studentët që zgjedhin programe studimi prioritar

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme disa ndryshime në modelin e financimit të buxhetit për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor.

Me ndryshimet e reja parashikohet financim shtesë deri në 50% për studentët që zgjedhin programe studimi prioritare, deri në 30% për ata që zgjedhin programe të përbashkëta dhe në masën 10% për studentët që ndjekin programe studimi me karakter profesional.

Ndërkohë vendimi parashikon që fondet e miratuara për financimin e programeve të përbashkëta në universitete do të shpërndahen në bazë të kërkesave specifike që do të paraqesin IAL-të publike.

V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.75, DATË 12.2.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MODELIT TË FINANCIMIT TË BUXHETIT PËR ARSIMIN E LARTË DHE KËRKIMIN SHKENCOR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 110, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.75, datë 12.2.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronja “c”, e pikës 2, të kreut III, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Koeficienti i prioriteteve ose financimi shtesë, në masën 50% për studentët që ndjekin studimet në programe prioritare, në masën 30% për studentët që ndjekin programe studimi të përbashkëta, sipas marrëveshjeve të nënshkruara me IAL-të e shteteve të tjera, në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të studimeve, dhe në masën 10% për studentët që ndjekin programe studimi me karakter profesional;”.

b) Pas pikës 2, të kreut V, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Fondet e miratuara për financimin e programeve të përbashkëta të studimit në institucionet publike të arsimit të lartë, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit me institucionet e arsimit të lartë të shteteve të tjera, do të shpërndahen në bazë të kërkesave specifike që do të paraqesin IAL-të publike.

Institucionet publike të arsimit të lartë kërkojnë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin për përfitimin e financimit nga fondet grant për ndërkombëtarizimin, sipas thirrjes së shpallur nga ministria përgjegjëse për arsimin.”.

Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


Shtuar 22.06.2022 21:34