Ish-ministri, Arben Ahmetaj, u paraqit sot në SPAK. Ndryshe nga politikanë të tjerë që thirren në SPAK, Ahmetaj shkoi sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme i qetë dhe i buzëqeshur.
Madje ish-ministri bëri batuta me gazetarët, duke i pyetur me ironi se “ku ishte hyrja”.
Ish-ministri Arben Ahmetaj është thirrur në SPAK, në kuadër të hetimeve që po bëhen ndaj këtij të fundit për 4 akuza, për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme.
Bashkë me Ahmetajn është paraqitur edhe avokati, Henrik Ligori. Fakti që është shoqëruar nga avokati i tij lë të kuptohet se sot SPAK mund t’i komunikojë dhe akuzat.
Emri i ish-zëvendëskryeministrit është shënuar në regjistrin e personit ndaj të cilit po zhvillohen hetime për tre vepra penale si “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Kujtojmë se Gjykata e Lartë rrëzoi ish-zv. kryeministrin Arben Ahmetaj i cili kishte bërë rekurs kundër vendimit për kontrollin e vilës në Hamallaj, në pronësi të bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha.
Gjykata e Lartë ka rrëzuar Ahmetajn dhe Hoxhën duke lënë në fuqi vendimin në Apelin e GJKKO./albeu.com/