Ndodhesha në shtëpi me bashkëshorten/ Dëshmia e Xhelal Mziut: Nuk dyshoj tek asnjë person

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka dhënë dëshminë e tij për hetuesit në lidhje me shpërthimin e ndodhur pas mesnatës në banesën e tij në Kamëz.

Mziu është shprehur se nuk ka asnjë konflikt personal dhe nuk dyshon tek asnjë person konkret që mund të qëndrojë pas ngjarjes.

Në momentin e shpërthimit, në banesë ndodhej vetëm deputeti dhe bashkëshortja e tij. Për fat të mirë, askush nuk është lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.

Nga hetimet paraprake të policisë, dyshohet se ngjarja është një mesazh, pasi sasia e lëndës plasëse ka qenë relativisht e vogël dhe është vendosur në pjesën e sipërme të murit rrethues të banesës.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e autorëve dhe po analizohen të gjitha pistat. Deri tani nuk ka persona të ndaluar.

Autoritetet janë duke shqyrtuar pamje nga kamerat e sigurisë, si dhe po marrin dëshmi nga banorët e zonës për çdo lëvizje të dyshimtë para apo pas shpërthimit.


Shtuar 19.09.2025 09:16