Ndodh çmenduria, si ia bënin pagesën për kalimin në Angli kreut të “rreshtit”, çfarë ndezi dritën e kuqe

Gjatë vitit 2022, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka pikasur disa forma të pastrimit të parave në Shqipëri, ku shumica spikasin në investime në prona të paluajtshme, por nuk mungojnë edhe çmenduri të tilla si transferta përmes bankës të pagesave për kalimin në Angli.

Një rast i tillë është pikasur nga bankat, teksa brenda dy muajsh në llogarinë e një personi të papunë në Shqipëri janë transferuar shuma të ndryshme parash nga Franca apo Belgjika, të cilat dyshohet se ishin para që shkonin si pagesa për ndihmë në kalimin për në Angli.

Pas verifikimeve u konstatua se personi ishte i papunë, kursetë afërmit e tij ishin arrestuar në një shtet të BE-së për trafik klandestinësh, gjë e cila ndezi sinjalin e kuq te autoritetet.

“Transferta përmes shoqërive të transfertave të lidhura me dyshime për emigracionin të paligjshëm”

8 SKEMAT si pastrohen paratë në Shqipëri, dominojnë

Shtetasi A.B. i vitlindjes 2003 ka përfituar 8 transferta në muajt shtator-tetor 2022 nga një shtet i BE, i njohur si vend në një pozitë gjeografike, e cila ofron mundësi kalimi për emigrantët e paligjshëm. Dërguesit e këtyre transfertave janë persona të ndryshëm nga vende me risk për emigracionin e paligjshëm dhe vlerat e dërguara variojnë nga 1,200 deri 5,700 EUR. Deklarimet në lidhje me qëllimin e këtyre transfertave janë se paratë dërgohen me qëllim ndihmë ekonomike nga miq të shtetasit dhe burimi i këtyre të ardhurave është nga puna e tyre.

Nga verifikimet e kryera në lidhje me shtetasin shqiptar A.B i cili kishte përfituar rreth 21,000 EUR, nuk rezultuan të dhëna për llogari bankare apo transaksione të tjera financiare të kryera prej tij. Gjithashtu ai nuk rezultoi i punësuar apo të ketë ndonjë lidhje të njohur me personat dërgues të transafertave. As për përfituesit nuk rezultuan të dhëna në raportimet tona dhe as në burime të hapura.

Por nga burime të hapura rezulton të ketë gjetje negative për shtetasin A.B. dhe familjarë të tij, konkretisht për vëllain dhe xhaxhain e tij, të cilët janë kapur në flagrance gjatë kalimit të emigrantëve të paligjshëm në kufi.

Nisur nga këto gjetje negative, kërkuam informacion dhe u informuam nga organet ligjzbatuese se shtetasit (shtetasi A.B. dhe familjarët e tij) kishin precedentë për veprën penale ‘Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve’ sipas nenit 298/3 të Kodit Penal.

Bazuar në transaksionet e dyshimta dhe gjetjet negative për shtetasit, informacioni u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit./albeu.com

 


Shtuar 4.04.2023 11:42