Ndihmonte emigrantët të kalonin kufirin ilegalisht, arrestohet 19-vjeçari nga Durrësi

Policia Kufitare e Shkodrës ka arrestuar një 19-vjeçar, i cili ndihmonte emigrantë nga vendet e treta të kalonin kufirin me Malin e Zi.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi V. T., 19 vjeç, banues në Durrës, i cili akuzohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Nga hetimet dyshohet se ai ndihmonte emigrantët nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin tokësor me Greqinë dhe më pas me Malin e Zi, duke i transportuar me automjet dhe duke marrë pagesë prej 400 euro për person.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër

Vijojnë operacionet nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufijve.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Borders 3”.

Vihet në pranga një 19-vjeçar që ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, që të kalonin kufijtë, në mënyrë të paligjshme.

19-vjeçari u kap në flagrancë, në fshatin Vukpalaj, duke transportuar me automjet, 4 emigrantë që synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.

Sekuestrohen automjeti dhe celulari i 19-vjeçarit.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bajzë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufijve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borders 3”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:

-V. T., 19 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin tokësor me Greqinë dhe më pas kufirin tokësor me Malin e Zi, duke i transportuar me automjet, kundrejt pagesës 400 euro për person.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 8.10.2025 16:35