Ndihmoi dhe transportoi me makinë Ervis Martinajn, në pranga agjenti i Forcave Operacionale

Ditën e sotme një agjent i Forcave operacionale është arrestuar nga policia e Lezhës, pasi dyshohet se ndihmoi dhe transportoi me makinë të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur dhe pa asnjë kontakt me familjen e tij.

Bëhet fjalë për Jeton Lami 28-vjeç.

Lami dyshohet se ka përkrahur dhe transportuar me makinë Martinajn, ndërkohë që nuk jepen detaje në lidhje me datën. Ndaj Lamit rëndon akuza për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa ndaj tij është caktuar masa ‘Arrest me burg’.

Njoftim policie

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, bënë ndalimin e shtetasit J. L., 28 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Pas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, për veprën penale të rrëmbimit të personit, referuar nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.

Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 23.08.2022, ka caktuar ndaj shtetasit J. L. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga hetimet e thelluara rezulton se 28-vjeçari, duke qenë punonjës policie, ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar.

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin./albeu.com

Shtuar 24.08.2022 10:05