Ndihma ekonomike për një familje në Shqipëri, sa 18% e kufirit ekstrem të varfërisë

Në një afat të shkurtër, Shqipëria do të përballet me një valë njerëzish që nuk janë të mbrojtur nga skema e sigurimeve shoqërore, për shkak të informalitetit të lartë në tregun e punës dhe nevojat për mbështetje financiare nga buxheti do të rriten.

Në memorandumin ekonomik me Shqipërinë, që u publikua këto ditë, Banka Botërore e fokusoi analizën e saj në fleksibilitetin e tregut të punës dhe në mbrojtjen ndaj shtresave të varfra.

Pas një analize në detaje Banka sugjeroi se, Qeveria e Shqipërisë duhet të marrë në konsideratë forcimin e mëtejshëm të programeve të saj të asistencës sociale, veçanërisht të Ndihmës Ekonomike, përtej funksionit aktual që ofron mbështetje e përkohshme për njerëzit e varfër.

Ndihma ekonomike për një familje me një person aktualisht është sa 6.5%  e pagës minimale, 13% e pagesës së papunësie dhe 25% e pensionit social.

Për një familje përfituese me dy të rritur dhe dy fëmijë, përfitimi është i barabartë me 18.5% të kufirit të varfërisë ekstreme prej 3,20 dollarë amerikanë në ditë dhe 10,7% të varfërisë relative 5,50 USD në ditë, përllogarit Banka

Pas reformës në vitin 2018, programi i ndihmës Ekonomike (NE), duket se po arrin në mënyrë efektive familjet e varfra, mirëpo pavarësisht këtyre përmirësimeve, mbulimi me ndihmë ekonomike mbetet e ulët në krahasim me nevojat.

Më 2019 të dhënat tregojnë se 73.5% e përfituesve të NE përfaqësojnë 30% të më të varfërve të popullsisë. Po pavarësisht këtyre përmirësimeve, mbulimi me Ndihmë Ekonomike mbetet i ulët në krahasim me nevojat.

“Aktualisht trajtohen me ndihmë ekonomike afërsisht 9% të popullsisë në vend, ndërkohë që varferia është e përhapur në 38% të popullsisë në Shqipëri më e larta në Ballkanin Perëndimor”, cilëson Banka, duke theksuar se mbulimi mbetet shumë i ulët në raport me nevojën.

Në vitin 2018, Shqipëria shpenzoi afërsisht 1.35% të PBB-së ndihma sociale (nga e cila 25% u nda për NE), e cila është përsëri e ulët në krahasim me vendet e tjera.

Të dhënat sugjerojnë që Shqipëria mund të konsiderojë zgjerimin e mbulimit të familjeve të tjera të varfra me ndihmë ekonomike. Një zgjerim i tillë mund të jetë menaxhohet brenda sistemit ekzistues të targetimit sugjeron banka.

Banka i sugjeroi Shqipërisë ta bëjë ndihmën ekonomike të aksesueshme për më shumë njerëz të varfër, por kërkoi edhe rritjen e nivelit të saj në raport me kufijtë e varfërisë 3,2 dhe 5,5 dollarë në ditë.

Vlera e përfitimit duhet të rishikohet vit pas viti, bazuar në një metodologji të posaçme për këtë qëllim, referoi BB. Teksa pensionet dhe paga indeksohen vit për vit me inflacionin, kjo nuk ndodh me ndihmën ekonomike./Monitor