Ndërtimi, një sektor në rritje, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit

Ndërtimi shënoi rritje të shpejta rritjeje vitin e kaluar dhe kjo tendencë vijoi dhe në pjesën e parë të vitit 2022.

Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikave Monetare në Bankën e Shqipërisë thotë në një intervistë për Monitor se ecuria e sektorit të ndërtimit në dekadën e fundit ka ndjekur trendin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik të vendit.

Kredia bankare është një burim i rëndësishëm financimi për sektorin e ndërtimit, si në mënyrë direkte, nëpërmjet financimit të bizneseve të sektorit të ndërtimit, ashtu dhe në mënyrë indirekte, nëpërmjet financimit të kërkesës për banesa rezidenciale.

Themeli pohon se lidhur me sektorin e ndërtimit, Banka e Shqipërisë ka tërhequr dhe vijon të tërheqë vëmendjen në nevojën e hartimit të planeve të kujdesshme të biznesit, duke u fokusuar në prioritetet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të vendit dhe jo luhatjet afatshkurtra të kërkesës, duke tërhequr ekspertizën më të mirë në drejtim të analizave ekonomike dhe financiare, duke investuar vazhdimisht në rritjen e eficiencës, si dhe duke ndërtuar modele të qëndrueshme financimi e plane kontigjence për përballimin e luhatjeve të tregut.

Si e shikon BSH ecurinë dhe zhvillimin që ka marrë vitet e fundit sektori i ndërtimit në vend?

Sektori i ndërtimit ka shënuar norma të shpejta rritjeje vjetore gjatë vitit të shkuar dhe tremujorit të parë të vitit aktual, respektivisht në nivelin 19.4% dhe 25.5%.

Kjo ecuri ka qenë një ndër kontribuuesit kryesorë në historinë e rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë shqiptare pas pandemisë, duke kontribuar me 1.8 dhe 1.9 pikë përqindjeje në rritjen ekonomike të periudhave përkatëse (Grafiku 1).

Burimi: INSTAT dhe llogaritje të Bankës së Shqipërisë.

 

Megjithatë, një analizë e ecurisë më afatgjatë të sektorit të ndërtimit evidenton dy konkluzione të rëndësishme.

Së pari, ecuria e sektorit të ndërtimit në dekadën e fundit ka ndjekur trendin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik të vendit (shih grafikun 2).

Kjo dinamikë sugjeron se, në horizonte kohore afatmesme dhe afatgjata, zhvillimi i këtij sektori përcaktohet nga ecuria e përgjithshme e kërkesës për mallra dhe shërbime. Në veçanti, sektori ndërtimit ka përjetuar rënie të aktivitetit në vitet e para të dekadës së shkuar, rritje relativisht modeste në mesin e saj, goditje negative në periudhën e tërmetit dhe të pandemisë, si dhe rikuperim të shpejtë në dy vitet pasuese.

Rritja e shpejtë e sektorit të ndërtimit gjatë kësaj periudhe është nxitur edhe nga programi i rindërtimit të banesave dhe godinave të ndërtuara nga tërmeti, program i cili ka injektuar rreth 47 miliardë lekë gjatë vitit 2021 dhe tremujorit të parë të vitit 2022.

Gjithashtu, një zhvillim specifik i dy viteve të fundit ka qenë dhe trendi rritës i investimit në pasuri të patundshme nga jorezidentët. Sipas të dhënave të bilancit të pagesave, këto blerje kanë qenë rreth nivelit 190 milionë euro, apo 1.2% të PBB-së.

Burimi: INSTAT dhe llogaritje të Bankës së Shqipërisë.

Megjithatë, edhe pas këtij rikuperimi, sektori i ndërtimit është ende pranë niveleve të vitit 2010, duke shfaqur një performancë relative më të dobët se ajo e sektorëve të tjerë të ekonomisë (shih grafikun 3).

Burimi: INSTAT dhe llogaritje të Bankës së Shqipërisë.

Së dyti, ndonëse trendi afatgjatë i zhvillimit të sektorit të ndërtimit është i ngjashëm me atë të ekonomisë në tërësi, amplitudat afatshkurtra të zhvillimit të tij tentojnë të jenë më të mëdha.

Kjo ecuri shpjegohet si me kohën relativisht të gjatë që kërkon hartimi i plan-biznesit, marrja e lejeve përkatëse dhe zbatimi i investimit, ashtu dhe me ndikimin relativisht të konsiderueshëm që mund të kenë projekte madhore të infrastrukturës, si Rruga e Kombit, projekti TAP apo Programi i Rindërtimit.

Sa më sipër, modeli i biznesit të sektorit të ndërtimit kërkon kujdes e vëmendje në identifikimin e trendeve afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit, për të shmangur incentivat e gabuara që mund të vijnë nga luhatje afatshkurtra të kërkesës.

Cili është roli dhe pesha e sektorit të ndërtimit në ekonominë shqiptare?

Sektori i ndërtimit është një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë.

Ky sektor gjeneron rreth 9% të vlerës së shtuar në ekonomi, punëson rreth 7.5% të fuqisë punëtore në vend dhe ofron një pagë mesatare e cila është e krahasueshme me shkallën e kualifikimit të fuqisë punëtore të angazhuar në këtë sektor (shih grafikun 4).

Burimi: INSTAT dhe llogaritje të Bankës së Shqipërisë.

Në një aspekt më afatgjatë, Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me një deficit të madh në terma të kapitalit fizik. Ky deficit ishte i pranishëm në aspektin e banesave rezidenciale, të infrastrukturës publike, si dhe të kapaciteteve prodhuese dhe akomoduese të ekonomisë.

Në vija të përgjithshme, sektori i ndërtimit i ka adresuar të tre këto prioritete të zhvillimit të vendit.

Duke ju referuar statistikave zyrtare dhe vlerësimeve tona, konstatohet se sektori i ndërtimit ka alokuar fonde dhe ka plotësuar nevojat e ekonomisë në: ndërtesa rezidenciale, të cilat i shërbejnë nevojave sasiore dhe cilësore të familjeve shqiptare për strehim; punime inxhinierike, të cilat i shërbejnë në masën më të madhe zhvillimit të infrastrukturës publike; si dhe, ndërtesa jo-rezidenciale, të cilat i shërbejnë zgjerimit të potencialit prodhues e shërbyes të vendit (shih grafikun 5).

Burimi: INSTAT dhe llogaritje të Bankës së Shqipërisë.

Rritja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit do të kërkojë zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve prodhuese. Një studim i FMN-së sugjeron se Shqipëria ka ende një deficit të konsiderueshëm kapitali, sidomos në drejtim të infrastrukturës publike.

Ky studim vlerëson se shkalla e zhvillimit të infrastrukturës në Shqipëri është rreth 30% e mesatares së vendeve të Bashkimit Europian (vlerësim për vitin 2015). Kjo analizë sugjeron se perspektivat afatgjata të zhvillimit të sektorit të ndërtimit mbeten solide.

Cili është kontributi i sektorit bankar në plotësimin e nevojave për financim të këtij sektori?

Kredia bankare është një burim i rëndësishëm financimi për sektorin e ndërtimit, si në mënyrë direkte, nëpërmjet financimit të bizneseve të sektorit të ndërtimit (grafiku 6), ashtu dhe në mënyrë indirekte, nëpërmjet financimit të kërkesës për banesa rezidenciale (në formën e kredive hipotekare) dhe financimit të nevojave të bizneseve për pasuri të paluajtshme (grafiku 7).

Burimi: INSTAT dhe llogaritje të Bankës së Shqipërisë.

Dinamikat e ilustruara në grafikun 6 sugjerojnë se ecuria e kredisë bankare për sektorin e ndërtimit ka një korrelacion të lartë me aktivitetin ekonomik të gjeneruar nga ky sektor, duke ilustruar një shkallë të lartë të përmbushjes së nevojave të sektorit për financim.

Burimi: INSTAT dhe llogaritje të Bankës së Shqipërisë.

Në një perspektivë më afatgjatë, struktura e financimit të bizneseve të sektorit të ndërtimit ka ngjashmëri me një strukturë tipike financimi të ndërmarrjeve shqiptare në nivel ekonomie (shih grafikun 8).

Sa i takon strukturës së bilancit, ky sektor nuk shfaq diferenca të dukshme nga mesatarja sa i takon shkallës së tij të kapitalizimit, të mbështetjes me kredi bankare, si dhe të mbështetjes financiare nga furnitorët dhe nga burimet e tjera.

 

Burimi: INSTAT dhe llogaritje të Bankës së Shqipërisë.

Cilat janë disa nga këshillat që institucioni juaj do të jepte për sektorin e ndërtimit?

Banka e Shqipërisë ka theksuar në vazhdimësi nevojën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Ky zhvillim kërkon ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, identifikimin e mbështetjen e avantazheve konkurruese të ekonomisë shqiptare dhe reduktimin e dobësive strukturore të saj, si dhe zhvillimin e harmonizuar të ekonomisë së vendit.

Lidhur me sektorin e ndërtimit, Banka e Shqipërisë ka tërhequr dhe vijon të tërheqë vëmendjen në nevojën e hartimit të planeve të kujdesshme të biznesit, duke u fokusuar në prioritetet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të vendit dhe jo luhatjet afatshkurtra të kërkesës, duke tërhequr ekspertizën më të mirë në drejtim të analizave ekonomike dhe financiare, duke investuar vazhdimisht në rritjen e eficiencës, si dhe duke ndërtuar modele të qëndrueshme financimi e plane kontigjence për përballimin e luhatjeve të tregut.

Nga ana jonë, ne jemi të ndërgjegjshëm për rolin tonë esencial në ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar, zhvillimin e tregjeve financiare, nxitjen e kreditimit të qëndrueshëm dhe zgjerimin e sofistikimin e sistemeve dhe instrumenteve të pagesave.

Brenda këtyre detyrave, ne i kemi ofruar ekonomisë shqiptare një ambient financiar të qëndrueshëm dhe stimulues për rritjen ekonomike, kemi nxitur përmirësimin e ofertës së kredisë bankare dhe zhvillimin e instrumenteve të pagesës.

Këto masa i kanë shërbyer forcimit të shëndetit të bilanceve të sektorit bankar, rritjes së qëndrueshme të kredisë, uljes së kostove të transaksioneve dhe të financimit, si dhe nxitjes së formalizimit të ekonomisë. Këto objektiva do të vazhdojnë të orientojnë punën tonë edhe në të ardhmen.