Ndarja nga jeta e vajzës së tij, reagon akademiku Rexhep Qosja: Ditë të rënda për ne, mos i provoftë askush

Akademiku dhe shkrimtari i njohur shqiptar Rexhep Qosja, ka reaguar për herë të parë pasi vajza e tij Edita Qosja-Rexhepi, ka ndërruar jetë pak ditë më parë.

Në një mesazh të ndjerë dhe plot dhembje, Qosja ka ndarë disa rreshta falënderimi për të gjithë ata që i qëndruan pranë familjes së tij në këto ditë të vështira, duke shprehur ngushëllimet e tyre të sinqerta – të shumtë në numër e me zemër të madhe.

Qosja ka shkruar se ditët pas vdekjes së bijës së tij, janë ditë të rënda dhe është lutur që askush të mos provohet me një dhimbje të tillë.

“Humbja e vajzës sime të shtrenjtë, më ka ndihmuar të kuptoj se sa e thellë është dashuria prindërore e sa e pafundshme është dhembja e largimit të parakohshëm të fëmijës për prindërit, por më ka bërë të kuptoj e të ndiej edhe se sa e nevojshme, se sa e dobishme e se sa e njerëzishme e fisnike është pjesmërrja ngushëlluese për dhembje të mëdha njerëzore”, shkruan profesori në postimin e tij.

Postimi i plotë i akademikut Rexhep Qosja:

Edita, nënë e tre fëmijëve, do të mbetet përjetë në mendjen dhe zemrën e familjarëve, miqve e të afërmve.

Me 28 korrik, pas një kohe të gjatë të mbushur me dhembje e dhembshuri, me vuajtje e mundime, me sprova e pafuqi, humbëm të dashurën, të shtrenjtën, të pazëvendësueshmen, pjesën e shpirtit e të zemrës sonë, bijen time Editën, të mirën, të urtën, të prajshmen, zemërbardhën, fisniken, nënën e Valjetit, të Donikut, të Lironës, gjyshen e Rinesës e të Lizës dhe motrën e Violës sonë.

Këto ditë, kur pushuan dhembjet e Editës, kur ato dhembje na i la neve, janë ditë jo të lehta, janë ditë të rënda për ne, janë ditë që mos u provofshin nga askush.

Por, në këto ditë dhembjeje e pikëllimi, na e hapën derën e na e ngushëlluan zemrën e mendjen numër i madh njerëzish – farefis, miq nga të gjitha trojet shqiptare, dashamirës të përhershëm, kolegë fisnikë, fqinjë nga afër e nga larg, por edhe një varg institucionesh kulturore, kombëtare, politike, një vargu krijuesish të arteve e të shkencave, të cilat na e lehtësuan e na e zbutën, aq sa është mundshme në këto raste, humbjen tonë të madhe, kurrë të harrueshme.

Ngushëllimet tuaja zemërore i kemi ndier shumë afër si në ditën e varrimit, si në ditët ngushëlluese përmes ardhjes, përmes telefonit, përmes postës elektronike, përmes komunikimit digjital e mediave.

Ju jemi shumë falenderues e mirënjohës të gjithë juve, që në çfarëdo mënyre keni gjetur mundësinë të na ngushëlloni, të na jepni zemër e kurajë. Mos paçi pikëllime të këtilla kurrë!

Humbja e vajzës sime të shtrenjtë, më ka ndihmuar të kuptoj se sa e thellë është dashuria prindërore e sa e pafundshme është dhembja e largimit të parakohshëm të fëmijës për prindërit, por më ka bërë të kuptoj e të ndiej edhe se sa e nevojshme, se sa e dobishme e se sa e njerëzishme e fisnike është pjesmërrja ngushëlluese për dhembje të mëdha njerëzore.

Me nderim e mirënjohje Rexhep Qosja me familje


Shtuar 3.08.2025 12:02