Ndalohet në Kakavijë ish-drejtori i Shërbimeve Komunitare në Gjirokastër

Ish-drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Komunitare në Bashkinë e Gjirokastrës, Adriatik Onjea, është ndaluar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi ishte shpallur në kërkim për shpërdorim detyre dhe prishje provash.

Onjea kërkohej në lidhje me një ngjarje të ndodhur më 3 mars 2025 në Gjirokastër, ku një punonjës humbi jetën pasi u rrëzua nga kati i dytë i një godine gjatë punimeve për pastrimin e saj.

Të lidhura

None found

Pas ngjarjes, ai kishte kaluar kufirin drejt Janinës, ndonëse ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Pas ndalimit, Onjea është dërguar në spitalin e burgut në Gjirokastër, pasi ka deklaruar probleme shëndetësore.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Zinxhira”, ku punonjësi pësoi dëmtime të rënda dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Për këtë rast, më herët janë arrestuar edhe tre persona për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, ndërsa gjykata ka caktuar masa sigurie edhe për përgjegjës të tjerë teknikë.


Shtuar 11.04.2026 13:45