Ndahet nga jeta në moshën 91 vjeçare Giorgio Armani

Shtëpia e modës Armani ka bërë të ditur të enjten se stilisti i madh italian, Giorgio Armani, ka ndërruar jetë.

“Me pikëllim të pafund, Grupi Armani njofton ndarjen nga jeta të krijuesit, themeluesit dhe forcës së palodhur që qëndronte pas tij: Giorgio Armani”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Armani, i cili ishte 91 vjeç, ishte sinonim i stilit modern italian dhe elegancës. Ai arriti të ndërthurte mjeshtërinë e dizajnit me aftësinë e një biznesmeni, duke e udhëhequr kompaninë e tij drejt një qarkullimi vjetor prej rreth 2.3 miliardë eurosh (2.7 miliardë dollarë).
Prej kohësh ai kishte probleme shëndetësore dhe u detyrua të mungonte në sfilatat e grupit të tij gjatë Javës së Modës për Meshkuj në Milano, në qershor – hera e parë në karrierën e tij që nuk mori pjesë në një ngjarje të tillë.
I njohur si “Re Giorgio” – Mbreti Giorgio – stilisti kujdesej personalisht për çdo detaj të koleksioneve të tij dhe çdo aspekt të biznesit, nga reklamat e deri tek rregullimi i flokëve të modeleve para se ato të dilnin në pasarelë.

Kompania njoftoi se këtë fundjavë, të shtunën dhe të dielën, në Milano do të hapet një dhomë mortore për homazhe, ndërsa ceremonia private e varrimit do të mbahet në një datë që nuk është bërë e ditur.


Shtuar 4.09.2025 15:40