Ka vdekur në moshën 78-vjeçare aktori i mirënjohur nga Zelanda e Re, Sam Neill.
Njoftimi u dha nga të afërmit e tij nëpërmjet një postimi në profilin zyrtar të aktorit në Instagram.
Të lidhura
None found
Familja nuk e bëri të ditur se cili ishte shkaku i ndarjes nga jeta, por kujtojmë se në vitin 2022, Neill u diagnostikua me limfomë angioimunoblastike të qelizave T në stadin e tretë, një lloj i rrallë i kancerit në gjak, të cilin më pas arriti ta tejkalonte.
Aktori mbylli sytë përgjithmonë në qytetin e Sidneit në Australi, pranë personave më të dashur të tij, sipas familjarëve.
“Me hidhërim të madh, familja e Sam Neill informon për largimin e tij. Ai ndërroi jetë i shoqëruar nga të afërmit dhe u nda nga kjo botë me të njëjtin dinjitet që e përcolli gjithë jetën. Ikja e tij ishte e beftë, por ne e ndiejmë veten me fat që ai ishte i lirë nga kanceri. U shprehim mirënjohjen tonë ekipit të Spitalit Privat të Shën Vincentit për përkujdesjen e jashtëzakonshme dhe lusim që privatësia jonë të mos cenohet në këtë periudhë të rënduar,” shkruhet në deklaratë.
Menjëherë pas lajmit, Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, nderoi kujtimin e artistit, duke vlerësuar ndikimin e tij në kinematografinë vendase dhe atë ndërkombëtare.
“Sam Neill dha jetë në aq shumë histori të dashura australiane dhe zuri një vend të veçantë në shpirtin e kombit. Ai e përballoi sëmundjen me dinjitet, humor dhe qëndresë. Do të na mungojë thellë dhe kujtimi i tij do të jetë i përhershëm. Paqja qoftë me të,” shprehej Albanese.
I lindur në vitin 1947 në Omagh të Irlandës Veriore dhe i rritur në Zelandën e Re, Sam Neill arriti famë planetare me portretizimin e Dr. Alan Grant në kryeveprën e Steven Spielberg-ut, “Jurassic Park”. Rolet e tij të tjera të paharruara përfshijnë “The Piano”, “The Hunt for Red October”, “The Tudors”, “Peaky Blinders”, “Event Horizon” dhe “The Hunt for the Wilderpeople”, mes shumë të tjerash.
Gjatë një rrugëtimi artistik më të gjatë se 50 vjet, Neill mori pjesë në më shumë se 150 vepra për kinema dhe televizion, duke u bërë një figurë ikonike. Për meritat e tij në fushën e artit, në Zelandën e Re iu akordua titulli i lartë “Sir”.
Aktori la pas katër fëmijë dhe gjashtë nipër e mbesa.
