Naureda Llagamit i përfundoi mandati, Ilir Rusi zgjidhet në krye të Qeverisë së Gjyqtarëve

Pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë, Ilir Rusi është zgjedhur në krye të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Mbledhja është zhvilluar sot, më 22 Tetor dhe anëtarët e qeverisë së gjyqësorit kanë votuar për zgjedhjen e drejtuesit të ri, në kushtet kur Naureda Llagamit i ka përfunduar mandati.

Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaroi mbarimin e mandatit dhe përfundimin e qëndrimit në detyrë të Naureda Llagamit dhe zëvendësimin e saj me anëtaren më të re, Violanda Theodhori, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si përfaqësuese e shoqërisë civile.

Kështu që, nga Ilir Rusi është kryetar i ri i Këshillit të Lartë Gjyqësor i zgjedhur si anëtar nga radhët e pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës.

Ai zotëron titullin “Profesor i Asociuar” dhe është diplomuar për gradën shkencore “Doktor” në të Drejtën Civile nga Universiteti i Tiranës. Përvoja e tij e profesionale përfshinë detyra dhe emërime të ndryshme ndër vite, si: Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, zv. Dekan në po të njëjtin Fakultet, Pedagog në Departamentin e të Drejtës Civile.

Gjatë dy viteve të fundit, Ilir Rusi ka mbajtur funksionin e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga data 02.03.2022 deri më sot, kur është zgjedhur Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Sakaq, në mbledhjen e sotme Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi zgjedhjen me shumicë votash të anëtares Yllka Rupa, në funksionin e zëvendëskryetares të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi ky pozicion ishte bosh me zgjedhjen e Ilir Rusit kryetar.


Shtuar 22.10.2024 18:21