Përshkallëzimi është një gur-themeli i strategjisë së presidentit rus Vladimir Putin në luftën e tij kundër Ukrainës, sidomos tani që kundërofensivat e ushtrisë ukrainase kanë frenuar në mënyrë të qëndrueshme arritjet ruse.
Ndërsa shtohen pengesat në luftën e tij, është e rëndësishme të adresohen disa pyetje kyçe: Si munden Ukraina dhe partnerët e saj të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm në nivelin bërthamor, duke i mohuar Rusisë shansin për të arritur një lloj fitoreje. Dhe nëse ndodh një përshkallëzim i tillë, si duhet të kundërpërgjigjet Perëndimi?
Pas sulmit fillestar ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera të mëdha të Ukrainës, përshkallëzimi rus ka ndodhur në disa faza, si një përgjigje ndaj humbjeve të saj në fushën e betejës. Këtu përfshihet sulmi masiv me artileri në Donbas, mobilizimi shtesë, aneksimet e paligjshme, vendosja e ligjit ushtarak në 4 rajone, sabotimi i mundshëm i tubacioneve të “Nord Stream”, dhe sulmet masive të ditëve të fundit mbi infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
Në secilin rast, përshkallëzimi rus synonte përfitimin e avantazhit në fushën e betejës, dhe thyerjen e vullnetit të Ukrainës për të rezistuar. Por Moska nuk ka pasur sukses në asnjërin nga qëllimet. Por nuk ka dyshim se Putin do t`i përshkallëzojë sërish veprimet e tij përballë dështimit për të arritur synimet e tij dhe për të shmangur humbjen strategjike.
Injorimi i kërcënimeve të tij, duke përfshirë përdorimin e armëve bërthamore, nuk është një politikë e arsyeshme. Ndaj në vend të kësaj, duhet të merren masa për ta penguar dhe, nëse është e nevojshme, për t’iu kundërpërgjigjur këtij kërcënimi në mënyra që i imponojnë kosto të rënda Rusisë, por që nuk e përshkallëzojnë më tej konfliktin.
Së pari, përshkallëzimi i mëtejshëm do të varet nga situata e fushëbetejës. Putini nuk ka gjasa të përdorë armët bërthamore taktike, nëse forcat e tij arrijnë të stabilizojnë linjat e tyre në frontin e betejës. Në një rast të tillë, ai ndoshta do të ndjekë objektivat e tij përmes një lufte shkatërruese, përpjekjeve të vazhdueshme për të imponuar një armëpushim dhe përpjekjeve për ta përçarë NATO-n dhe nëpërmjet thirrjeve për negociata, të cilat do të pengonin Ukrainën të rikuperonte ndonjë territor të humbur.
Në këto rrethana, Shtetet e Bashkuara dhe NATO duhet të vazhdojnë politikën e tyre të suksesshme të dërgimit të armëve në Kiev, duke pasur në fokus sistemet raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), artilerisë me rreze të gjatë, dronët sulmues, tanket moderne dhe mjeteve luftarake të blinduara, në mënyrë që Ukraina të rimarrë territorin e humbur.
Së dyti, situata në fushën e betejës nuk është e pjekur për zhvillimin e negociatave. Rusia është sot më e interesuar për një armëpushim, pasi kjo do t`i lejonte asaj të mbante territorin ukrainas që tanimë e ka pushtuar, dhe që rrezikon ta humbasë për shkak të kundërsulmit ukrainas.
Që nga kundërsulmi në Kharkiv, Ukraina ka fituar plotësisht iniciativën në fushën e betejës dhe ka pak arsye për të negociuar, duke pasur parasysh edhe brutalitetin e rusëve ndaj civilëve, krimet e shfrenuara të luftës dhe përpjekjet për të zhdukur identitetin kombëtar ukrainas.
Madje Kievi ka ndryshuar qëllimet e tij të shpallura në fillim të luftës, nga rimarrja e të gjithë territorit të pushtuar që nga 24 shkurti, në rivendosjen nën kontroll të gjithë territorit të humbur që nga viti 2014, përfshirë Krimenë. Prandaj në Ukrainë ka zero interes për t’i dhënë Putinit ndonjë lëshim, në kushtet kur Rusia kërkon ende nënshtrimin politik dhe çmilitarizimin e Ukrainës.
Së treti, shumë analistë perëndimorë besojnë se Putini po luan bllofin në lidhje me përdorimin e armëve bërthamore. Sipas tyre një sulm i kufizuar me armë bërthamore taktike në fushën e betejës, do të kishte pak vlerë ushtarake pasi trupat ukrainase përgjithësisht janë të shpërndara.
Rrezatimi radioaktiv, do të prekte si trupat ruse po ashtu dhe ato ukrainase. Ky sulm do të kundërshtohej nga zinxhiri komandues i ushtrisë ruse, dhe vetë Putini do të tërhiqej nga një skenar i tillë, sepse përdorimi i armëve bërthamore, është ndoshta një “vijë e kuqe” për Kinën dhe Indinë, vende që Putinit i duhen si miq për qëllime diplomatike dhe ekonomike.
Por analistë të tjerë e marrin më seriozisht kërcënimin bërthamor. Ata thonë se mundësia e përdorimit të këtyre armëve për ta detyruar NATO-n t’i japë fund një konflikti konvencional sipas kushteve ruse, ka qenë prej kohësh pjesë e doktrinës ushtarake ruse.
Po ashtu, synimi i Putinit nuk do të ishte të fitonte në fushën e betejës, por të “ngrinte” konfliktin dhe të detyrojë arritjen e një armëpushim sipas kushteve të tij.
Ai e ka treguar brutalitetin e tij në Çeçeni, Siri dhe Ukrainë. Dhe në rast se beson se regjimi i tij apo qëndrueshmëria e Federatës Ruse janë në rrezik, nuk do të hezitojë të përdorë çdo armë që ka në dispozicion të tij. Për më tepër ai mund të besojë se koalicioni perëndimor do të shpërbëhet pas një përgjigjeje të tillë.
Në mendojmë se supozimi se Putini po bllofon, nuk është një politikë e arsyeshme. Perëndimi ka gabuar vazhdimisht kur ka menduar se Putin nuk ka për qëllim të bëjë atë që thotë. Nga ana tjetër marrja seriozisht e kërcënimit bërthamor nuk do të thotë tërheqje e mbështetjes për fitoren e Ukrainës apo frenim të dërgimit të armëve.
Masat që mund të ndëshkojnë Rusinë, duke pasur njëherazi një rrezik të kufizuar të përshkallëzimit të mëtejshëm bërthamor janë së pari një denoncim diplomatik unanim
për përdorimin e armëve bërthamor në Kombet e Bashkuara. Së dyti, largimin e Rusisë nga organizatat ndërkombëtare.
Së treti largimin e plotë të Ruisë nga sistemi i mesazheve financiare SWIFT. Së katërti, vendosja e një embargoje të plotë tregtare dhe financiare ndaj Rusisë (me mbështetjen e Kinës dhe Indisë). Së pesti, përdorimin për rindërtimin e Ukrainës të aseteve financiare
ruse të sekuestruara tashmë nga Perëndimi. Dhe së gjashti, dakordësim për një datë konkrete për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë masat që do të ndëshkonin Rusinë, bashkë me një rrezik të moderuar të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës kanë të bëjnë me heqje në kufizimeve dhe dërgimin në Ukrainës të armëve sulmuese me rreze më të gjatë, të avionëve luftarakë F-16 dhe tankeve më moderne.
Po aq i rrezikshëm do ishte dërgimi i disa këshilltarëve ushtarakë të NATO-s në Ukrainë për misione jo luftarake, dhe rënia dakord për një datë konkrete për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Së fundmi, masat ndëshkuese ndaj Rusisë, por që do të ishin me një rrezik më të lartë të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, janë së pari një sulmi ndaj forcave ruse në Ukrainë nga ana e trupave të NATO-s, për shembull shkatërrimi i bazës nga nisi sulmi bërthamor rus.
Së dyti një sulm ndaj flotës ruse të Detit të Zi me avionët e NATO-s. Dhe së treti, një sulm po bërthamor i NATO-s ndaj trupave ruse në Ukrainë. Aleatët mund të ngurrojnë të mbështesin një kundërpërgjigje bërthamore në natyrë, por për hir të parandalimit të një lufte bërthamore në shkallë të gjerë, NATO duhet të ruajë një lloj paqartësie në lidhje me gatishmërinë e saj për të përdorur armë taktike bërthamore në disa lloj skenarësh.
Nga Hans Binnendijk, Alexander Vershbow & Julian Lindley-French “Atlantic Council”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al