Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën sanksione të reja kundër Moskës pas akuzave se forcat ruse në Ukrainë kanë masakruar civilë. Njoftimi vjen ndërsa NATO diskuton mundësinë e dërgimit të më shumë armëve të rënda për të ndihmuar forcat ukrainase. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton nga Londra.
Forcat ukrainase që po përparojnë në veri të Kievit, kanë zbuluar skena të tmerrshme të civilëve që me sa duket janë masakruar nga trupat ruse. Moska mohon përgjegjësinë – por provat e krimeve të mundshme të luftës po shtohen. Shtëpia e Bardhë i përmendi këto mizori ndërsa paraqiti një paketë të re sanksionesh të mërkurën në koordinim me G-7 dhe aleatët evropianë.
Ato përfshijnë një bllokim të plotë ndaj dy prej bankave më të mëdha të Rusisë, Sberbank dhe Alfa Bank, si edhe të ndërmarrjeve kryesore shtetërore ruse; ndalimin e të gjitha investimeve të reja në Rusi, si edhe aftësisë së Rusisë për të kryer pagesat e borxhit me fonde që janë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara.
Sanksionet vënë gjithashtu në shënjestër dy vajzat e presidentit rus Vladimir Putin dhe familjarë të zyrtarëve të tjerë rusë, përfshirë ministrit të Jashtëm Sergej Lavrov.
“Vetëm brenda një viti, sanksionet tona ka të ngjarë të eliminojnë përfitimet ekonomike të 15 viteve të fundit në Rusi. Dhe duke ndaluar Rusinë të importojë teknologji si gjysmëpërçuesit dhe siguria e enkriptimit dhe elementët kritikë të teknologjisë kuantike të nevojshme për të konkurruar në shekullin e 21-të, ne do të frenojmë rritjen e ekonomisë së Rusisë për vite me radhë”, tha Presidenti Joe Biden.
Edhe Britania miratoi një paketë të re sanksionesh të mërkurën.
“Ndalimi i anijeve ruse nga portet tona; goditja e më shumë bankave ruse; përfshirë industritë që po financojnë luftën e Putinit, si ari”, tha Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.
Bashkimi Evropian po finalizon gjithashtu sanksionet e reja kundër sektorit energjitik të Rusisë.
“Paketa e re përfshin ndalimin e importit të qymyrit. Dhe mendoj se herët a vonë duhet të marrim masa për naftën dhe madje edhe gazin”, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
BE-ja tha të mërkurën se i kishte paguar Rusisë 38 miliardë dollarë për energjinë që nga fillimi i luftës, ndërsa ka dhënë pak më shumë se një miliard dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Analistja Liana Fix mendon se Evropa nuk po vepron aq shpejt sa duhet.
“Çështja është se sa shpejt do të merren këto masa dhe a do të jenë aq të shpejta sa të ndihmojnë Ukrainën në përmirësimin e pozicionit të saj negociues dhe pozicionit të saj ushtarak ndaj Moskës”, tha ajo.
Sanksionet e reja perëndimore erdhën ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s po mbajnë një takim dyditor në Bruksel. Uashingtoni njoftoi këtë javë një ndihmë ushtarake prej 100 milionë dollarësh për Ukrainën, përfshirë raketat antitank Javelin.
“Ne kishim vendosur të vepronim në tre drejtime nëse Rusia vendoste të sulmonte Ukrainën: Njëra ishte të mbështesnim partnerët tanë ukrainas. Po e bëjmë këtë. E dyta, të ushtronim presion të jashtëzakonshëm mbi Rusinë, gjë që po e bëjmë. Dhe e treta të përforconim mbrojtjen e aleancës sonë, NATO-s. Dhe këtë po e bëjmë”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Mizoritë për të cilat akuzohen forcat ruse mund të ndryshojnë përllogaritjet e NATO-s, thotë analistja Fix.
“Sidomos në opinionin publik, ato sjellin kujtimet e mizorive të së kaluarës në Evropë. Kjo rrit presionin ndaj politikanëve”, thotë ajo.
Ndërkohë, Republika Çeke po dërgon tanke T-72 dhe automjete këmbësorie të kohës sovjetike në Ukrainë, gjë që Kievi shpreson se do t’i nxisë anëtarët e tjerë të NATO-s të dërgojnë armë të rënda./VOA