Natë tmerri nga zjarret në Delvinë/ 10 persona asfiksohen nga tymi, zhvendoset përkohësisht spitali. Situata vijon kritike, qyteti pa drita

Një natë tmerri dhe frike ishte mbrëmja e 12 gushtit për banorët e Delvinës.

Gjatë natës rreth 10 qytetarë nga Delvina kanë marrë ndihmë mjekësore për shkak të asfiksisë, në mjediset e Kinotetatrit ku u vendos përkohësisht spitali.

Katër prej tyre ishin ushtarë të angazhuar për të shuar zjarret.

Sot në mëngjes situata vijon të jetë kritike dhe pritet ndërhyrja nga ajri.

Tymi ka pushtuar zonën për shkak të flakëve masive ndërsa ka edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Zjarri rrezikoi edhe puset e naftës.

Flakët, e nisura fillimisht në Finiq pasditen e djeshme kaluan në territorin e Delvinës.

Banorët u evakuuan, ndërsa zhvendosje u bë edhe për pacientët dhe stafin mjekësor të spitalit.


Shtuar 13.08.2025 09:53