Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka akuzuar Policinë e Shtetit dhe Avokatin e Shtetit se kanë hyrë në zyrat e partive PDK, PR dhe PBDNJ.
Sipas tij, ata kanë sekuestruar të gjitha dokumentet që ndodheshin aty.
Me anë të një postimi në Facebook, Ndoka thotë se Avokati i Shtetit ka sekuestruar zyrat dhe ka marrë peng të gjithë dokumentet e dy partive PDK dhe PR, ndërsa Policia e Shtetit ka nxjerrë në rrugë PBDNJ-në.
Postimi i Nard Ndokës në FB:
Pushtet arrogant, Avokati i Shtetit dhe Policia e Shtetit, dhunojnë selitë e tre Partive Opozitare (PDK, PR e PBDNJ).
Pushteti pasi dështoi me pengun Basha në Opozitë, i është vërsulur partive të tjera politike.
Mbas sulmit të zyrave të FRD, në shënjestër tashmë Partia Demokristiane e Shqipërisë, PDK, Partia Republikane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Avokati i Shtetit në mënyrë arbitrare sekustron zyrat dhe merr peng të gjithë dokumentat e dy partive politike PDK e PR, ndërsa Policia e Shtetit nxjerr në rrugë PBDNJ.
Kemi informuar zyrtarisht Presidentin e Shqipërisë, Kryeministrin e Shqipërisë (megjithëse ky është urdhëruesi i plaçkitjes), institucionet ndërkombëtare në vend, OSBE, BE e SHBA-të.
Dhunimi barbar i zyrave të tre partive politike, pengmarrja e dokumentacionit dhe arkivave, shenja të një pushteti arrogant e kriminal, që kërkon asgjësimin e pluralizmit politik.
Partia Demoktistiane e Shqipërisë, PDK
Zyra e Shtypit
Tiranë, më 11 Qershor 2022