Deputeti demokrat Bledion Nallbani nuk ka kursyer kryeparlamentarin Niko Peleshi, njëkohësisht deputet i qarkut të Korçës ku shërbejnë të dy, duke e etiketuar atë si “batakçi dhe hajdut”.
Peleshi nuk ishte prezent në sallë, teksa nënkryetarja Klodiana Spahiu i tërhoqi vëmendjen për fjalorin fyes ndaj kreut të Kuvendit.
Duke iu referuar fjalës së kolegëve të mazhorancës dhe vetë Peleshit më herët, Nallbati tha: “Nuk shkon kjo punë jemi në parlament jo në parashkollor. Një koleg i mazhorancës mori fjalën dhe na tha është turp që deputetë të flasin për çështje të rendit të ditës. Unë ju them që nuk është turp të flasë për hallet e qytetarëve, por është turp të ngresh kartonin për të vjedhur paratë e qytetarëve. Jemi votuar që të ngremë shqetësime e qytetarëve”.
Ai akuzoi Peleshin si mashtrues dhe hajdut.
“Turp është të mbrosh hajdutët dhe ata që vjedhin paratë e qytetarëve dhe jo të ngresh shqetësimet e qytetarëve. Kjo nuk është turp të flasësh për qytetarët, turp është të ngresh kartonin për vjedhjen. Dhe një gjë të fundit meqenëse kryetari i Kuvendit më dha një Këshillë që të dal para pasqyrës, dola Niko, nuk pashë ndonjë djalë të bukur. Por po i them se pashë një hajdut, një batakçi e mashtrues si ti nuk e pashë”, tha ai.
