Nafta rritet me 245 lekë/litër, njoftohet sërish protestë

Duke filluar nga nesër, nafta do të rritet sërish në karburantet shqiptare duke shkuar në 245 lekë/litri.

Duke marrë shkasë nga kjo rritje e vazhdueshme e çmimi të naftës, por jo vetëm, aktivisti Adriatik Lapaj ka njoftuar se të martën në orën 17:00 do të zhvillohet protestë.

Njoftimi:

“SËRISH NË SHESH!

TË MARTËN ORA 17.00 NË SHESH

Çmimi karburanteve vijoi rritjen nga dita e fundit e protestës. Ishte me 203 lekë, sapo shkoi me 245 lekë. Pritet të shkojë mbi 250 lekë për litër.

Te sheshi sërish!”

Në vend, nafta arriti deri në 260 lekë për litër në fillim të marsit, pasi u ngjit në 130 dollarë në bursat ndërkombëtare. Pas kësaj rritjeje, Qeveria krijoi Bordin e Transparencës, i ngritur me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit. Bordi e uli fillimisht çmimin deri në 203 lekë për litër, pasi në bursa zbriti nën 100 dollarë për fuçi. Tani çmimi është rritur sërish në 245 lekë për litër, ndërsa në bursë sot një fuçi naftë kushton 112 dollarë.


Shtuar 25.03.2022 21:15