Nafta kontrabandë nga Libia në Portin e Durrësit, Salianji ngre alarmin në Kuvend: Do njoftojmë vendet partnere

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka folur për naftën kontrabandë në Portin e Durrësit, ku sipas tij, policisë i është mbyllur goja për të mos treguar porositësit.

Duke folur në Kuvend, Salianji u shpreh se veç të tjerash çështja është shqetësuese, pasi është shkelur embargoja me Libinë.

“Në Shqipëri bëhet kontrabandë nafte. Pse nuk ka asnjë emër. Kush janë porositësit e naftës libiane që vjen me anije libiane në Shqipëri. Cilët nga ata të pestë iua ka mbyllur gojën dhe policia nuk flet. Kapiteni i anijes libiane ka thënë se ka ardhur edhe dy herë të tjera në Shqipëri.

Ka një rezolutë që ndalon çdo lloj përpunimi të anijeve që vijnë nga ky shtet. Kush janë porositësit. Si ka mundësi që në Shqipëri vjen një anije me mijëra ton naftë dhe të arrestuar janë vetëm disa të huaj.

Si ju kam kërkuar informacion të plotë për oligarkët e ndërtimit e njëjta gjë do të ndodhë edhe me këtë rast. Do informojmë partnerët sepse keni shkelur embargo. Do e gjejmë ne kompaninë dhe do vijmë ta themi këtu. Kjo është situata në Shqipëri sot”, deklaroi Salianji./albeu.com/