Qindra nacionalistë serbë dhe të krishterë ortodoksë marshuan në Beograd të dielën për të protestuar kundër planit perëndimor që synon përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
Shumë serbë e shohin Kosovën, ku ndodhen kishat dhe manastiret kryesore të besimit ortodoks serb, si zemrën e kombit serb.
Nacionalistët serbë, të cilët gjithashtu duan lidhje më të ngushta me Rusinë, aleate e vjetër e Serbisë, kritikojnë presidentin Aleksandër Vuçiç për rolin e tij në bisedimet mbi një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi, me Kosovën.
Më 27 shkurt, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u pajtuan për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk e nënshkruan atë.
“Populli i Serbisë që leu këtë tokë me gjak nuk do ta lëshojë Kosovën serbe, sepse Kosova është e shenjtë”, tha Zorica Mojsic nga Beogradi teksa ecte me marshuesit e tjerë.
Kisha Ortodokse Serbe organizoi lutjet e saj për Kosovën, të cilat do të zgjasin deri në Pashkë, por nuk mbështeti publikisht marshimin dhe klerikët e saj nuk morën pjesë në të.
Të premten, Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Porfirije tha gjatë një predikimi se “askush nuk duhet t’i mësojë kishës… çfarë është Kosova… Çlirimi i Kosovës me fjalë është i lehtë”.
Kosova, e cila ka një shumicë etnike shqiptare, shpalli pavarësinë më 2008, pothuajse një dekadë pas luftës që i dha fund sundimit serb. Por Serbia ende e konsideron Kosovën si territorin e saj dhe shpërthimet e dhunës kanë ushqyer frikën e kthimit të një konflikti.
Për zbatimin e marrëveshjes nevojiten më shumë bisedime dhe udhëheqësit e dy vendeve do të takohen përsëri nën mbikqyrjen e BE-së në qytetin e Ohrit, buzë liqenit me të njëjtin emër, në Maqedoninë e Veriut, në 18 mars./VOA