Një skemë mashtrimi me Call Centera është zbuluar sërish në Tiranë.
Gjatë operacionit është prangosur një shtetas nga Kosova, i cili dyshohet se përfitoi shuma të mëdha parash përmes mashtrimit, që kapin shifrën e 135 mijë eurove.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Mysafiri”.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Kishte përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, me anë të mashtrimit, vihet në pranga 30-vjeçari nga Kosova.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, nisur prej vitit 2021, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Mysafiri”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit Q. K., 30 vjeç, banues në Kamenicë, Kosovë, për veprën penale “Mashtrimi”.
Ky shtetas dyshohet se nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, ka përfituar shumën 135000 euro nga një shtetase, me pretendimin se do t’i investonte në call center.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, ka përfituar shuma të ndryshme monetare, nga shtetas të ndryshëm në Republikën e Shqipërisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com/