Murtaja te bagëtitë në Shqipëri, Meta tregon zgjidhjen: Është e thjeshtë, vaksinimi që nuk po kryhet

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me përhapjen e murtajës së bagëtive të imta në Shqipëri. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta e ka cilësuar situatën si një katastrofë për blegtorinë shqiptare.

Ai thotë se ky sektor jetik është lënë në mëshirë të fatit dhe tashmë po përballet me rrezikun e shuarjes për shkak të mungesës së subvencioneve dhe veprimit shtetëror. Sipas tij, Zgjidhja është vaksinimi, që nuk po kryhet.

Postimi i plotë:

Murtaja e bagëtive të imta është një katastrofë për blegtorinë, sektor jetik i lënë në mëshirë të fatit dhe tashmë i rrënuar edhe nga mungesa e subvencioneve. Zgjidhja është e thjeshtë: vaksinimi, që nuk po kryhet. Me vetëm 3 euro mund të blihen 100 doza vaksine, ose me 30 mijë euro, më pak se një shishe verë që pi në ditë Kryerilindasi, mund të shpëtohet një sektor i tërë, të gjitha tufat, stanet dhe fermat e ndërtuara me shumë mund dhe sakrificë, që rrezikojnë të shfarosen vetëm për shkak të papërgjegjshmërisë së një Qeverie, që paralelisht me shpopullimin e Shqipërisë po shkreton edhe blegtorinë.


Shtuar 18.06.2025 22:38