Mungonte për arsye shëndetësore, shtyhet seanca për deputetin Asllan Dogjani

Është shtyrë seanca për deputetin Asllan Dogjani. Avokatët e tij kanë kërkuar që seanca të shtyhet pasi deputeti i PD, Asllan Dogjani nuk ishte i pranishëm në seancë për arsye shëndetësore.

Dogjani akuzohet për fshehje dhe mos deklarim të pasurisë. Dogjani u thirr disa herë në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa vetë ai ka deklaruar para gazetarëve se ka dëshmuar për mosdeklarim pasurie. Në prononcimet për mediat deputeti është shprehur se është nën hetim pasuror nga SPAK, që e akuzon se nuk ka deklaruar shtëpinë 100 metra katror që ka blerë në 2006.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 2 dhjetor 2024, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit Asllan Dogjani, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

I pandehuri Asllan Dogjani akuzohet për kryerjen e veprës penale deklarim i rremë i pasurisë, e parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Deklarimi i rremë për përfitimin e një apartamenti

Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.

Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën me nr.7030 rep. dhe 781 kol. të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash.

Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.


Shtuar 17.12.2024 16:35