Mungojnë subvencionet bujqësore, agropërpunimi i pazhvilluar

Megjithëse sektori bujqësor përbën gati një të katërtën e ekonomisë shqiptare, sektori përballet me mungesë të fuqisë punëtore, subvencione shumë të ulëta, copëzim të lartë dhe mekanizim të ulët.

Në vitin 2019, qeveria uli TVSH-në e rimbursueshme për fermerët nga 20% në 6%, dhe më pas i hoqi këto përjashtime tërësisht në 2022, duke krijuar vështirësi për prodhuesit vendas dhe duke favorizuar importet.

Kjo politikë ka bërë që shumë fermerë të braktisin kultivimin e produkteve bazë, të blegtorisë dhe bujqësisë, pasi kostoja e prodhimit është më e lartë se çmimi i shitjes në treg.

Situata u përkeqësua edhe më shumë, teksa Bashkimi Europian bllokoi financimet nga programi IPARD me një shumë totale 112 milionë euro, në një kohë që të gjitha vendet e rajonit po përfitojnë shuma të mëdha nga këto fonde, sidomos Serbia.

Shqipëria mbetet pas rajonit si për nga niveli i ulët i subvencioneve buxhetore, ashtu edhe për efikasitetin e fondeve.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kanë bërë hapa të mëdhenj drejt modelit europian të mbështetjes me pagesa direkte të lidhura me performancën, prodhimin dhe zhvillimin rural.

Teksa Serbia është lider në subvencione bujqësore në rajon, falë buxhetit të lartë dhe përparësisë që i jep bujqësisë si sektor strategjik.

Vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut, dha nga buxheti 170 milionë euro subvencione për bujqësinë, Kosova rreth 80 milionë euro kurse Shqipëria, vetëm 31 milionë euro.

Shqipëria e ka shumë pak të zhvilluar sektorin e agroindustrisë.

Eksportet bujqësore bazohen në prodhimet e freskëta të fushës, teksa ne vetëm importojmë domate dhe speca turshi ose reçelra nga vendet e tjera. Edhe në këtë aspekt, Shqipëria mbetet vendi me agroindustrinë më të pazhvilluar në Rajon.

Edhe pse bujqësia është një sektor i madh agroindustria zë rreth 2.5% të PBB-së. Rreth 1500 ndërmarrje operojnë në këtë sektor, shumica e të cilave janë shumë të vogla.

Në Maqedoninë e Veriut, agroindustria zë 5-6% të PBB-së dhe ka arritur të tërheqë investitorë nga Italia dhe Turqia në sektorët e përpunimit të mishit, qumështit, duhanit etj.

Skemat e IPARD e kanë ndihmuar Maqedoninë e Veriut në vitet e fundit. Serbia është lider edhe në sektorin e agroindustrisë, ku pesha në PBB kalon mbi 10%.

Serbia është eksportues i madh i produkteve ushqimore të përpunuara që nga bulmeti, mishi dhe pijet dhe gjithashtu ka logjistikë shumë të zhvilluar në frigoriferë industrialë.

Edhe në Bosnjë, agroindustria zë mbi 7% të PBB-së dhe është e përqendruar kryesisht në produktet industriale si mishi dhe bulmeti.

Shqipëria ka potencial të lartë në zhvillimin e agropërpunimit, veçanërisht në fruta, perime, verë, vaj ulliri dhe bimë mjekësore, por ka më pak kapacitete për përpunim sesa çdo vend tjetër në rajon.

Politikat mbështetëse në zinxhirin e vlerës agroindustriale mungojnë tërësisht.

Pa rritje të investimeve në përpunim, standarde eksporti, dhe mbështetje teknologjike, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një eksportues i lëndës së parë dhe jo i produkteve me vlerë të shtuar.

Gjithashtu, konsumatorët do të jenë të ekspozuar nga çmimet e larta të importit të këtyre produkteve, tha Alban Zusi i cili prej vitesh operon në sektorin agroushimor./Monitor