Mungojnë mbi 130 mijë fletë votimi, PD kërkesë në KQZ: Nisni hetimin administrativ, sqaroni ku është vendndodhja e këtyre fletëve

Partia Demokratike ka depozituar një kërkesë të re në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku pretendon se sipas të dhënave të KQZ, mungojnë mbi 130 mijë fletë votimi në regjistrimin sasisë së fletëve dhe certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit.

Njoftimi:

Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) shpreh shqetësimin e saj të thellë në lidhje me informacionet dhe të dhënat zyrtare që na janë përcjellë nga KOZ ditën e djeshme, si rezultat i kërkesave tona të përsëritura gjatë procesit të ankimimeve të PD-ASHM në KAS.

Shqetësimi ynë lidhet me faktin se, për zgjedhjet e 11 majit 2025, mungojnë më shumë se 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit.

Më datë 04.04.2025, me vendimin tuaj nr. 407, “Për miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi për zgjedhësit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025” (bashkëlidhur), në faqen nr. 138 të materialit specifikohet qartë se, në rang vendi, janë miratuar 5.225 Qendra Votimi (QV), 3.467.962 zgjedhës, 66.830 fletë votimi rezervë (që i korrespondojnë 2% rezervë), dhe në TOTAL 3.534.792 Fletë Votimi (FV).

Por, sipas të dhënave zyrtare të vetë institucionit që ju drejtoni, rezulton se janë:

3.534.792 fletë votimi të prodhuara,

1.463.204 fletë votimi të gjetura në kutitë e votimit,

1.935.834 fletë votimi të deklaruara si të papërdorura, dhe

5.000 fletë votimi të deklaruara të dëmtuara.

Pra, diferenca tregon qartë se mungojnë saktësisht 130.754 (njëqind e tridhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër) fletë votimi të papërdorura!

Në vijim të sa më sipër, dhe bazuar mbi këto gjetje, kërkojmë:

Nisjen e një hetimi administrativ urgjent nga ana e KQZ-së, si dhe verifikimin e përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë e votimit në rang vendi (5.225 QV), në përputhje me nenin 160 dhe vijues të Kodit Zgjedhor,

Sqarime të detajuara mbi këtë situatë faktike, me qëllim të tregohen qartë vendndodhja dhe trajtimi i mbi 130.000 fletëve të votimit, pasi nuk përputhen në asnjë mënyrë numri total i fletëve të prodhuara me shumën e votave të gjetura në kuti, plus fletëve të papërdorura plus fletët e dëmtuara.

Këmbëngulim që për këto fakte tronditëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të veprojë menjëherë dhe në përputhje të plotë me parimin e ligjshmërisë.

PARTIA DEMOKRATIKE-ALEANCA PËR SHQIPËRINË MADHËSHTORE

Përfaqësuesi i PD-ASHM në KQZ


Shtuar 2.06.2025 19:37

Tags: ,