Pothuajse të gjitha njësite e shërbimeve kanë reklamuar në fasadat e tyre kërkesa për punonjës me kualifikim të ulët me paga neto që shkojnë 40,000 mijë lekë plus sigurimet.
Njoftimi bashkëngjitur është reklamuar nga një hotel në kryeqytet, i cili ofron një pagë 40 mijë lekë për një pastruese pa llogaritur sigurimet.
Aftësi të tilla deri para pak vitesh paguheshin jo më shumë se 20 mijë lekë. Presioni për paga në profesione që nuk kërkojnë shumë aftësi po ndodh për dy arsye.
Së pari dhe më e rëndësishmja është pakësimi i popullsisë nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë që po tkurrin forcën e punës. Zhvillimet demografike kanë ndryshuar edhe strukturën e popullsisë në favor të moshave të vjetra që nuk janë shumë produktive në tregun e punës dhe për modelin ekonomik që ofron Shqipëria.
Së dyti sektori i turizmit dhe ai i ndërtimit janë rritur me shpejtësi vitet e fundit sidomos nga kërkesa e huajve për të vizituar Shqipërisë dhe rritja nga rritja e lejeve të ndërtimit në qendër të vendit.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT paga në ekonomi ka shënuar nivel rekord në tremujorin e tretë të këtij viti, teksa të gjithë sektorët paguajnë më shumë sesa një vit më parë, por më i fortë ndryshimi ishte për bujqësinë, shërbimet dhe turizmin, që po vuajnë dhe më shumë nga largimi i fuqisë punëtore, duke detyruar dhënien e pagave më të larta për punonjësit ekzistues.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare bruto për aktivitetin e Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, ka rritjen më të madhe prej 15,7%, e ndjekur nga Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me 13.7%, ndërtimi me 13%, industria me 11%.
Pakësimi i fuqisë punëtore në një kohë që kërkesa është në rritje po ushtron presion të pagat. Mirëpo pagat më të larta në aftësitë të ulëta ushtrojnë presion për rritje të përgjithshme në nivelet e tjera për të ruajtur diferencat në përvojë dhe profesione.
Kriza për punonjës po bën që kompanitë bashkë me njoftimin për vendin e lirë të punës të bëjnë publik edhe nivelin e pagës.
Ekspertët e tregut të punës dhe bizneset shpjegojnë se në vijim, mungesa e fuqisë punëtore do të kthehet në emergjencë për mbajtjen në këmbë të aktiviteteve. Fatos Çerenishti që drejton “FAFA” resort një nga njësitë më të mëdha të akomodimit në vend tha se, vështirësitë në gjetjen e punonjësve pengojnë seriozisht mbarëvajtjen e aktivitetit.
Sipas tij, importi i punonjësve të huaj shpesh nuk është zgjidhje për shkak të kostove më të larta që kanë pasi përveç pagës duhet siguruar edhe akomodimi dhe ushqimi që në fund të ditës është një kosto shtesë për bizneset në raport me punonjësit vendas./Monitor