Mungesa e dëmshpërblimeve pas përmbytjeve, fermerët e Maliqit dalin në protestë

Këtë të martë, fermerët e fushës së Maliqit, dolën në një protestë për të kërkuar dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit.

Ata paralajmërojnë se mungesa e ndihmës ekonomike, po i lë pa asnjë alternativë dhe kërcënon falimentimin e fermave në juglindje.

Brenda pak muajsh, fermerët e kësaj zone janë përballur me dy përmbytje të radhës, duke humbur të mbjellat dhe duke pësuar dëme të konsiderueshme ekonomike.

Julian Guri, fermer nga Maliqi, deklaron se ka humbur rreth 250 milionë lekë, dhe pa dëmshpërblime të menjëhershme, falimentimi i biznesit të tij është i pashmangshëm.

Ekspertët sugjerojnë që një zgjidhje e qëndrueshme do të ishte përfshirja e tokave bujqësore në skema sigurimi të mbështetura nga shteti, për të garantuar mbrojtje ndaj katastrofave natyrore dhe stabilitet ekonomik për fermerët.