“Mund të ketë shkaktuar vdekjen e gruas”, akuza të reja ndaj babait që kryente marrdhënie me vajzat e tij

Një vejan i dyshuar për vrasjen e tre foshnjave nga incesti me vajzat e tij, njërën prej të cilave e përdhunonte, tashmë akuzohet edhe për shkaktimin e vdekjes së parakohshme të gruas së tij.

54-vjeçari Piotr Gierasik dyshohet të ketë abuzuar bashkëshorten, Hanna përpara se ajo të vdiste papritur në moshën 38-vjeçare, thuajse 15 vite më parë. Fqinjët besojnë se nëna e 12 fëmijëve mund të ketë vdekur për shkak të “zemrës së copëtuar” pasi mund të ketë zbuluar se Piotr kryente marrëdhënie me një nga vajzat dhe s’mundej ta ndalonte dot.

“Ai i bërtiste dhe ulërinte edhe pse ajo ishte duke u kujdesur për 12 fëmijë dhe ishte nënë e përkushtuar. Ai e rrihte dhe ne mendojmë se rrjedhimisht e vrau. Tani mendoj se e fundit ka qenë zbulimi i abuzimit seksual me vajzat”, tha një banore.

Gjithashtu ajo kujton edhe vdekjen e Hanna. “Nuk ishte e sëmurë, por humbi peshë, i ranë flokët, u shtrua në spital dhe nuk u kthye e gjallë prej andej. Vdekja e saj nuk u sqarua, nuk besoj se thjesht vdiq, ishte vetëm 38 vjeçe”.

Hanna ndërroi jetë më 18 Shtator 2008 dhe u varros në varrezën pranë, ku mbi epitaf shkruhet “Zoti vendosi kështu”. Për varrin e saj kujdesen disa nga fëmijët dhe është vazhdimisht i mbuluar me lule e qirinj.

Vdekja e saj e parakohshme vetëm shtoi abuzimin e Piotr ndaj fëmijëve kur mbeti vetëm me ta në shtëpinë e tyre të izoluar në Czerniki, Poloni.

“Daily Mail” raporton se banorët nisën të dyshonin rreth vjet më parë se Piotr po kryente marrëdhënie me një nga vajzat dhe kallëzuan në polici. Vajza mohoi se kishte ndodhur diçka ndaj Piotr u shpall i pafajshëm ndërsa gjykatësi i tha akuzuesit t’i kërkonte falje.

Ndërkohë ka informacione të reja nga pastiçeria ku punonte Paulina, vajza e cila kryente “marrëdhënie me dëshirë” me të atin e saj. Kolegët e saj dyshonin  për një shtatzëni kur ajo nisi të vishte rroba të gjera dhe vunë re se ishte dobësuar pas një “pushimi”. Babai i saj e çonte dhe e merrte çdo ditë nga puna për ta patur nën kontroll.

Kolegët vunë re se vendoste vazhdimisht peceta në gji sepse i dilte qumësht. Një prej tyre thotë se ka parë dy mesazhe në celularin e saj që konfirmojnë se kishte lindur një vajzë.

Një nga banorët thotë se e reja ishte shtatzënë me binjakë dhe e kishin parë që kishte shkuar për të lindur, por askush nuk e dinte se çfarë iu kishte ndodhur fëmijëve.

Paulina është akuzuar për incest dhe vrasjen e dy foshnjave që mendohet se janë fryt i marrëdhënies së saj me të atin. Mbi Piotr rëndojnë dy akuza incesti, një për Paulina dhe një për përdhunimin e njërës nga vajzat dhe tre vrasje. Vrasja e tretë mendohet të jetë e lidhur me një foshnje nga një tjetër prej vajzave të tij e cila është larguar vite më parë nga shtëpia për të nisur një jetë të re.

Banorët tremben se mund të ketë kufoma të tjera foshnjash që kanë lindur nga përdhunimi ndaj  vajzave të tij. Ata kanë ndërtuar një përkujtimore në kopshtin e familjes Gierasik si një homazh për foshnjat e vdekura.

Disa prej tyre thonë se kur Piotr dhe familja e tij u vendosën aty rreth 20 vjet më parë, ishin të trembur prej tij. Familja Gierasik u përshtat me jetën e fshatit dhe iu pëlqente të mblidhnin kërpudha në pyll.

Por Piotr kishte shpërthime inati dhe dëgjohej teksa iu ulërinte gruas e fëmijëve. Vitet e fundit, ata e shihnin teksa ecte dorë për dore me Paulina që jetonte në shtëpi me të dhe vëllain e saj 24-vjeçar me aftësi të kufizuara.

Paulina e thërriste në emër, sillej me të më shumë si grua se sa si bijë dhe në daljet e tyre të rralla blinin parfume dhe i drejtoheshin njëri-tjetrit me “i/e dashur”. Nga shtëpia e tyre me tulla e gurë banorët  raportojnë se vinin “rënkime dhe ulërima”.

Policia ka përfunduar kontrollet në shtëpi, por priten rezultatet e autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes së foshnjave./tvklan.al


Shtuar 20.09.2023 18:46