Mposhtja e Erdogan: Kush do të jetë kandidati opozitar, që do tentojë rotacionin politik pas 20 vitesh?

Në rast se kishte disa dyshime në lidhje me vendosmërinë e Kemal Kiliçdaroglu për t’u përballur vitin ardhshëm me presidentin aktual të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ato ranë kur ai doli dhe mbajti javën e kaluar një fjalim në foltoren e parlamentit.

Duke iu drejtuar anëtarëve të tjerë të Partisë së tij Republikane Popullore (CHP), 73-vjeçari deklaroi se është angazhuar në një “luftë të madhe” kundër varfërisë në rritje, inflacionit dërrmues dhe padrejtësisë së dhimbshme që po e rrënon Turqinë. Ndërsa zgjedhjet presidenciale pritet të mbahen brenda 13 muajve të ardhshëm, ai paralajmëroi rivalët e paidentifikuar brenda aleancës së tij opozitare: “Bashkohuni me mua ose largohuni nga rruga ime!”.

Ish-burokrati, që e udhëheq që nga viti 2010 partinë e themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk, ka pësuar një transformim vitet e fundit. I tallur prej kohësh nga Erdogan si një humbës serial në zgjedhje, ai drejtoi partinë në një fitore mbresëlënëse në zgjedhjet lokale të vitit 2019, kur opozita mori drejtimin e Bashkisë së Stambollit, qytetit më të madh të Turqisë, dhe Ankarasë, kryeqytetit të vendit.

Por edhe më e rëndësishme: atij i njihet merita e ndërtimit dhe mbajtjes së bashkuar të një aleance të gjerë të partive opozitare të bashkuara, që ka si synim mposhtjen e njeriut që ka 20 vite në krye të vendit, në fillim si kryeministër dhe më pas si president.

Analistët politikë thonë se vendimi për të punuar bashkë – i kombinuar me pakënaqësinë e madhe publike mbi gjendjen e ekonomisë turke, dhe shqetësimin në rritje për 3.6 milionë refugjatët sirianë që ndodhen në Turqi – u ofron rivalëve të presidentit shansin më të mirë që kanë pasur ndonjëherë për të fituar.

Berk Esen, bashkëpunëtor i Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë me seli në Berlin, beson se tashmë janë pjekur kushtet për një ndryshim historik. “Partia në pushtet është e përçarë, ndërsa opozita është e bashkuar. Situata ekonomike është duke u përkeqësuar, dhe nuk shoh ndonjë mundësi sesi Erdogani mund ta ndryshojë situatën”- thotë ai.

Gjithsesi, ndërsa zgjedhjet pritet të mbahet para qershorit të vitit 2023, ka një shqetësim në rritje se aleanca opozitare rrezikon ta shpërdorojë mundësinë që pret. Dyshimet i ka shtuar edhe pushtimi rus i Ukrainës. Edhe pse lufta e ka shtuar presionin ndaj ekonomisë turke, e cila rrezikon të goditet nga rritja e çmimeve të naftës dhe gazit, ajo e ka rritur gjithashtu edhe rëndësinë e Turqisë në sytë e anëtarëve të tjerë të NATO-s, pas disa vitesh të tensionuara me Perëndimin.

Erdogan ka shfrytëzuar rastin për të luajtur rolin e ndërmjetësit midis Kievit dhe Moskës, dhe teksa përpiqet të mos e zemërojë Vladimir Putinin, e ka kufizuar përdorimin e ujërave dhe hapësirës ajrore turke nga ushtria ruse. Një kompani ushtarake private në bashkëpronësinë e dhëndrit të tij, e ka furnizuar me dronë ushtrinë ukrainase.

Presidenti turk përjetoi një rritje të vogël të popullaritetit në sondazhet e muajit mars, pasi kriza e forcoi imazhin e tij si një lojtar i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare. Por ka shenja se edhe kjo rritje po nis të bjerë sërish. Nga ana tjetër rezultati i zgjedhjeve në Hungari muajin e kaluar, ku një aleancë midis 6 partive opozitare dështoi të mposhtë Victor Orban, ofroi paralajmërime të mëtejshme të zymta.

“Po të më pyesnit vitin e kaluar, do të kisha thënë: Është e sigurt që Erdogan do të humbasë. Tani jam shumë më pak i sigurt?”- thotë një zyrtar i opozitës. Frika më e madhe e disave në opozitë është se Kiliçdaroglu do të këmbëngulë të nominojë veten si kandidat kundër Erdogan, dhe se presidenti turk do ta mposhtë me lehtësi atë.

“Unë nuk kam asnjë dyshim se ai do të ishte presidenti më i mirë nga të gjithë kandidatët e mundshëm. Por ka shanset më të pakta për të fituar”- thotë Esen. Vitet e fundit, Erdogan ka fituar kontroll të paprecedentë mbi institucionet e Turqisë, nga gjykatat deri tek banka qendrore.

Ai i ka përdorur vazhdimisht këto kompetenca për të manipuluar sistemin zgjedhor në favor të tij. Në mars të këtij viti, ai ndryshoi ligjin elektoral në mënyrë që të mund të politizonte mbikëqyrjen e procesit të numërimit të votave. Dy përpjekjet e fundit për ta mposhtur atë në një garë presidenciale dështuan keq, kur opozita kryesisht laike nuk arriti të fitonte mbi bazën e tij fetare, konservatore, edhe pse votuesit më të rinj dhe më urbanë u zhgënjyen me qeverinë e tij.

Herën e fundit që opozita paraqiti një kandidat të përbashkët presidencial në vitin 2014, Erdogan fitoi me një diferencë prej 13 për qind. Gjithsesi, sondazhet sugjerojnë vazhdimisht se të paktën 2 kandidatë të mundshëm mund të sigurojnë një fitore të qartë në një garë kundër presidentit 68-vjeçar.

Ata janë Mansur Yavas dhe Ekrem Imamoglu, kryebashkiakët opozitarë të Ankarasë dhe Stambollit. Konservatori Yavas, 66 vjeç, qëndron lart në sondazhe duke u fokusuar pa pushim në përmirësimin e shërbimeve publike në një qytet që drejtohej prej vitesh nga një aleat i çuditshëm i Erdoganit, i cili shpërdoronte paratë publike për statujat e dinozaurëve dhe për një park gjigant tematik.

“Ai mund të jetë një figurë e shkëlqyer, dhe mund të hyjë në histori si njeriu që e riktheu Turqinë në një regjim normal”- thotë Suat Kiniklıoglu, ish-deputet i partisë në pushtet, që ka drejtuar një nga fushatat e mëparshme elektorale të Yavas. Por shumica e analistëve politikë e shohin Imamoglu si kandidatin më të fortë të opozitës.

Socialdemokrati 51-vjeçar, është më i hapur në aspektin politik, dhe ka potencialin të tërheqë më shumë votues. “Ai është popullor, i ri dhe energjik. Ai mund ta mposhtë Erdogan që do të dukej shumë i moshuar përballë tij”- thotë Ali Çarkoglu, politolog në Universitetin Koc të Stambollit.

Për më tepër, Imamoglu ka treguar gjithashtu përvojën e përballjes me sfidën e zgjedhjeve të kontestuara. Dhe kjo ka rëndësi kur drejtues të opozitës, druhen se në përpjekje për të qëndruar në pushtet, Erdogan do të përdorë taktikat e fshehta.

Në vitin 2019, kur Imamoglu u zgjodh kryebashkiak i Stambollit me një rezultat të ngushtë, presidenti anuloi rezultatet e zgjedhjeve, duke pretenduar për manipulime. Por Imamoglu fitoi sërish kur u ripërsëritën zgjedhjet, madje me një rezultat më të thellë.

Por kundërshtarët e kryebashkiakut pretendojnë se ai është “shumë ambicioz” për t’i besuar detyrën e çmontimit të presidencës së fuqishme ekzekutive që Erdogan ka ndërtuar për vete. “Ai mund të jetë Erdogani i radhës”- thotë një zyrtar i lartë në një nga partitë më të vogla opozitare. Por një person i afërt me Imamoglu, thotë se tiparet e tij të vetme të përbashkëta me Erdogan janë një trashëgimi në Detin e Zi, dhe periudha kur luanin futboll në rininë e tyre.

Vendimi përfundimtar mbi kandidatin e përbashkët opozitar do të merret pas negociatave që do të mbahen midis grupimit të liderëve të opozitës, të njohur si “Tryeza e të gjashtëve”. Një rol me rëndësi do të luajë udhëheqësja e dytë më e fuqishme në atë tryezë, Meral Aksener, drejtuese e partisë së djathtë IYI.

Ajo e ka përjashtuar veten si kandidate presidenciale, duke thënë se do të preferonte të ishte kryeministre në një qeveri të ardhshme opozitare. Thuhet se ajo favorizon kandidaturën e Imamoglu, të cilin vitin e kaluar e krahasoi me Mehmet Pushtuesin, sulltanin osman që pushtoi Kostandinopojën (Stambollin) në vitin 1453.

Në konsideratë duhet marrë Partia Demokratike Popullore (HDP) pro-kurde, e cila pritet të sigurojë rreth 12 për qind të votave kombëtare. Por për momentin nuk është pjesë e aleancës opozitare, pasi cilësohet si shumë toksike, sidomos nga partitë e djathta, për shkak të asaj që qeveria i quan lidhjet e saj me një milici kurde të jashtëligjshme./abcnews.al


Shtuar 7.05.2022 14:02