Moti i keq sjell probleme, Peleshi: Po evakuohen banorët e zonave që rrezikohen nga përmbytjet

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka dalë në një deklaratë për mediat duke folur për situatën e krijuar në vend nga moti i keq.

Sipas Peleshit, qeveria ka marrë masat dhe është në gatishmëri.

Ai gjithashtu u shpreh se, problematike paraqitet situata në qarkun e Shkodrës.

“Për qarkun Lezhë; në Kurbin ka rënë rreth 15 mm shi, në Zadrimë 131 mm, kemi disa sipërfaqja të përmbytura në këto zona. Ka rreth 500 Ha të përmbytura. Në qarkun Shkodër ka përmbytje. Në Kukës ka pasur 4 mm shi. Në Fushë-Arrëz, raportohen dëmtime të rrugëve rurale dhe shkëputje te energjisë elektrike.

Në Vaun e Dejës situata është pak më problematike, kanë dalë nga shtrati lumi Gjadër dhe Përroi Glinë. Është ndërprerë energjia elektrike.

Në bashkinë Malësi e Madhe ka dalë nga shtrati përroi. Po vijon puna për evakuimin e banorëve që rrezikohen nga përmbytjet. Jemi në gatishmëri dhe kemi mbledhur Komitetin e Emergjencave për të rritur gatishmërinë. Gjithë ministrat janë të informuar mbi situatën dhe do të organizohen për të përballuar çdo rast. Nga njëra anë është lajm i mirë për furnizimin me energji elektrike, pasi po mbushen hidrocentralet, por do përballemi dhe me situatë të pakëndshme që është përmbytja e tokave apo disa akseve.”, tha Peleshi.


Shtuar 20.11.2022 10:05