Moti i keq “paralizon” lundrimin në Vlorë, ndalohen mjetet e vogla dhe ato të peshkimit të dalin në det të hapur

Kapiteneria e Portit të Vlorës ka vendosur të pezullojë përkohësisht lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit këtë të enjte, për shkak të motit të keq dhe erës së fortë.

Sipas një njoftimi, nga dita e sotme deri nesër në orën 06:00, nuk do të lejohet lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë gjirit të Vlorës, në det të hapur.

Pritet që ditën e sotme të ketë mot të keq në drejtimin Jug-Juglindje, me erë që mund të arrijë deri në forcën 6-7 Bft, shpejtësi ere prej 15-20 m/s dhe dallgësh nga 1.50 deri në 2.50 metra.

Njoftimi i Plotë:

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 19-20.02.2026, duke filluar nga ora 09:00 e datës 19.02.2026, në drejtimin JUG-JUGLINDJE me forcë deri 6–7 Bft, shpejtësi ere 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri 2.50 metra, ju njoftojmë :

Është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë gjirit të Vlorës, në det të hapur, duke filluar nga ora 08:00 e datës 19.02.2026 deri në orën 06:00 të datës 20.02.2026.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese.


Shtuar 19.02.2026 16:05