Moti i keq në vend, rriten prurjet në Vjosë/ Lumi rrezikon të dalë nga shtrati, autoritetet thirrje banorëve të tregojnë kujdes

Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë rritur në mënyrë të ndjeshme prurjet në lumin Vjosë, duke sjellë shqetësim për daljen e tij nga shtrati.

Ministria e Mbrojtjes njofton se lumi po mbahet në monitorim të vazhdueshëm, ndërsa niveli i ujit ka arritur aktualisht në 6 metra, teksa pika kritike është 6.8 metra.

Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, mbërriti pasditen e sotme në urën e Mifolit, një nga pikat më të ndjeshme të lumit, ku ndoqi nga afër situatën dhe masat e marra nga strukturat e emergjencave civile.

Sipas parashikimeve të meteorologëve, reshjet pritet të vijojnë edhe në orët në vijim, veçanërisht në Gjirin e Vlorës dhe në jugun e vendit, duke shtuar rrezikun për përkeqësim të mëtejshëm të situatës.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave pranë shtratit të lumit të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet e ekipeve të emergjencës, ndërsa forcat e ushtrisë dhe strukturat vendore janë në gatishmëri të plotë.


Shtuar 19.11.2025 21:14